Kurti takohet me kryeministrin e Bullgarisë, e fton për vizitë në Kosovë

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti zhvilloi një takim dy palësh me kryeministrin e Bullgarisë, Nikolai Denkov.
Në takimin e parë dy palësh të tyre, kryeministri Kurti e falënderoi kryeministrin Denkov për mbështetjen e vazhdueshme të Bullgarisë ndaj Kosovës që nga vitit 1999 e tutje, të gjitha fazat e shtetndërtimit, dhe përkrahjen në anëtarësimin e Kosovës nëpër organizata ndërkombëtare.
Me homologun e tij bullgar, kryeministri Kurti foli për marrëdhëniet bilaterale ndërmjet dy shteteve dhe optimizimin e potencialit të bashkëpunimit sidomos në fushën e ekonomisë.
Përgjatë takimit, kryeministri Kurti gjithashtu e njoftoi kryeministrin Denkov edhe për progresin ekonomik dhe demokratik, arritjet kryesore të qeverisjes dhe reformat në fushën sundimit të ligjit dhe luftimit të korrupsionit. Ai gjithashtu e ftoi atë për vizitë në Kosovë në një të ardhme të afërt.
Pjesëmarrës në këtë takim ishin edhe Ambasadori i Kosovës në Slloveni, Valdet Sadiku, Kryetarja e Komisionit Parlamentar për Politikë të Jashtme, Arbëresha Kryeziu Hyseni dhe këshilltari politik i Kryeministrit, Jeton Zulfaj. /21Media
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?