Kurti takohet me zëvendës ndihmës Sekretaren e DASH-it, Allison Peters

Gjatë qëndrimit në kryeqytetin e Estonisë, kryeministri Albin Kurti po ashtu zhvilloi një takim me zëvendës ndihmës Sekretaren në detyrë të Departamentit të Shtetit amerikan, Allison Peters.
Në takim u diskutua për anëtarësimin e Kosovës në Partneritetin për Qeveri të Hapur dhe për mundësitë e bashkëpunimit me agjencitë amerikane, sikurse USAID në zbatimin e Planit Kombëtar të Veprimit për OGP, me theks te shtylla e parë e këtij plani, përkatësisht te transformimi digjital.
Duke folur për potencialin e Kosovës në fushën e Teknologjisë së Informacionit, kryeministri theksoi se Kosova renditet e para në Ballkanin Perëndimor në indeksin e konkurrueshmërisë së IT-së, të parët në Evropën në Zhvillim (Emerging Europe) për numrin e studentëve në fushën e TI-së për 100 mijë banorë, kurse të dytët për infrastrukturën teknologjike.
Krahas saj, Kurti gjithashtu veçoi edhe progresin në indikatorë ndërkombëtarë të transparencës, sundimit të ligjit dhe luftës kundër korrupsionit.
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?