Kaloni te përmbajtja kryesore

Formimi i institucioneve, nis takimi Kurti-Hamza

(Lajm i përditësuar)


Takimi Kurti-Abdixhiku pritet të mbahet pasditën e sotme

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti pas takimit me kryetarin e PDK-së, Bedri Hamzën për formimin e institucioneve, pritet të zhvilloj takimin e radhës me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku.

Burime të RTV21 kanë bërë të ditur se takimi Kurti-Abdixhiku pritet të zhvillohet sot në orën 18:00./RTV21/21Media


Fillon takimi Kurti-Hamza

Ka filluar takimi lidhur me formimin e institucioneve të reja i kryeministrit në detyrë, Albin Kurtit me kryetarin e PDK-së, Bedri Hamza.

Kurti ka nisur konsultimet me partitë politike pas certifikimit të rezultateve zgjedhore, duke ftuar në takim liderët e PDK-së, LDK-së dhe AAK-së, me qëllim diskutimin për mundësitë e krijimit të institucioneve të reja.

RTV21 do të mbajë të informuar lidhur me zhvillimet e fundit në këtë takim.


Hamza para takimit me Kurtin: I jam përgjigjur ftesës pa paragjykim, uroj për sukses e progres

Kreu i PDK-së, Bedri Hamza, ka folur para se të hyjë në takim me kreun e VV-së, Albin Kurti.

I pyetur nga RTV21 se a është optimisht në marrëveshje politike, ai e pohoi këtë, duke thënë “gjithmonë jam optimist”.

Ai ka thënë se po shkon në këtë takim si përgjigje ndaj ftesës së Kurtit, pa paragjykim.

“I jemi përgjigjur ftesës, pa paragjyku. Uroj që me pasë sukses dhe progres, vendi me pas institucione e stabilitet institucional, progres e përparim”, ka thënë Hamza.


Kurti mbërrin në Kuvend për takimin me Hamzën

Kreu i LVV-së, Albin Kurti, ka arritur para pak minutash në ndërtesën e Kuvendit të Republikës së Kosovës për takimin me kreun e PDK-së, Bedri Hamza.

Kurti ka qenë i shoqëruar nga ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati.

“Presim që takimi të jetë konstruktiv dhe t’i konstituojmë institucionet”, ka thënë Kurti.


Kurti takohet sot me Hamzën e Abdixhikun

Këtë të premte, kryetari i LVV-së Albin Kurti, do të zhvillojë takim me liderin e PDK-së Bedri Hamzën, si dhe udhëheqësin e LDK-së, Lumir Abdixhikun.

Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, kanë pranuar ftesën e kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, për takim lidhur me formimin e institucioneve të reja, kurse Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka refuzuar të ulet në tryezë.

Kurti ka nisur konsultimet me partitë politike pas certifikimit të rezultateve zgjedhore, duke ftuar në takim liderët e PDK-së, LDK-së dhe AAK-së, me qëllim diskutimin për mundësitë e krijimit të institucioneve të reja.

Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka konfirmuar se do të marrë pjesë në takim, duke theksuar se partia e tij do ta trajtojë këtë proces me përgjegjësi institucionale, por pret propozime konkrete për tejkalimin e situatës.

Hamza ka treguar të enjten se do të takohet mëngjesin e sotëm në orën 09:00.

Edhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka pranuar ftesën për takim me Kurtin, duke bërë të ditur se biseda do të zhvillohet në formatin “1 me 1”.

“Unë sot kam marrë një ftesë për takim me kryetarin e LVV-së, z. Kurti, në formatin 1 me 1. Këtë herë do të takohemi dy me dy. Do t’i përgjigjem pozitivisht”, ka deklaruar Abdixhiku duke mos zbuluar orën e takimit.

Ndërkohë, kryetari i AAK-së, Ardian Gjini, ka refuzuar ftesën për takim, duke thënë se qëndrimi i Aleancës mbetet oferta e prezantuar më 26 qershor.

Pas certifikimit të rezultaeteve të zgjedhjeve të 7 qershorit, ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ka bërë të ditur se seanca konstituive e Kuvendit do të thirret brenda afatit kushtetues.

LVV ka dalë e para në zgjedhje me 53 mandate, ndërsa PDK ka fituar 22 ulëse, LDK 18 dhe AAK shtatë ulëse në Kuvend.

Lexim me zë

Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?

0:00

Show More
Back to top button