Kurti: Me Greqinë gëzojmë raporte të mira, të shtohen lidhjet ekonomike

(Lajm i përditësuar)


Në Athinë, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u prit nga Kryeministri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis në pallatin Maximos, me të cilin pati një takim dypalësh.

Kurti tha se Kosova dhe Greqia gëzojnë marrëdhënie të mira të cilat po përmirësohen vazhdimisht si në rrafshin ekonomik përmes rritjes së shkëmbimeve tregtare ashtu edhe në rrafshin politik përmes vizitave të shpeshta të krerëve institucional të të dy shteteve.

Sipas njoftimit nga zyra e kryeministrit, Kurti e Mitsotakis biseduan edhe për dialogun në Bruksel dhe bashkëpunimin rajonal. Kurti tha që tashmë kemi marrëveshje porse nevojitet zbatimi i plotë i saj dhe pa kushtëzime.

“Kujtoi që pas dakordimit të Bratislavës po bëhen dy muaj pa asnjë incident e protestë të dhunshme në katër komunat në veri të Kosovës. Pra kemi një situatë të de-eskaluar e ku fokusi duhet të jetë tek parandalimi i ri-eskalimit nga elementë të dhunshëm”, citohet të ketë thënë Kurti.

Takimi u dominua nga diskutimi në forcimin e marrëdhënieve ekonomike. Kryeministri Mitsotakis e falënderoi për pjesëmarrjen në darkë Kryeministrin Kurti dhe tha se është i interesuar të forcojë lidhjet ekonomike teksa shprehu interesim për sektorë të ndryshëm të ekonomisë.

Kurti veçoi rritjen ekonomike për çerekun e parë të këtij viti që qëndron në 3,9% dhe rënien e shkallës së inflacionit nga 11,9% sa ishte në janar në 2,8% në qershor si dhe progresin në indikatorët e demokracisë. Tha se me strategjinë e re për energjinë, qeveria është zotuar që gjenerimet e reja në energji të jenë nga burimet e ripërtëritshme, pra solare dhe nga era. Përmendi sektorët në rritje të prodhimit të ekonomisë sikurse atë të përpunimit të metaleve dhe të drurit, tekstilit, ushqimit dhe pijeve si dhe sektorin e shërbimeve dhe teknologjisë informative.

Kryeministri Kurti e ftoi Kryeministrin Mitsotakis për vizitë dhe për më shumë investime në Kosovë.

Shkëmbimi tregtar me Greqinë vitin e kaluar ishte 308 milionë euro, një rritje prej mbi 40% apo afër 100 milionë euro krahasuar me 2021.

Gjersa shprehu keqardhjen për zjarret që kanë përfshirë një pjesë të Greqisë, Kryeministri ofroi ndihmën e Republikës së Kosovës në përballimin me zjarret përmes njësiteve të kërkim-shpëtimit të Forcave të Sigurisë së Kosovës.


Kurti takon homologun grek, flasin për normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti po qëndron edhe sot në Athinë ku është takuar me homologun e tij grek, Kyriakos Mitsotakis.

Ata janë takuar në Manastirin Maximos.

Burime qeveritare të Greqisë thanë se në takimin Kurti – Mitsotakis është biseduar për vazhdimin e zhvillimit të marrëdhënieve dypalëshe me fokus në bashkëpunimin ekonomik, shkruan ana-mpa.

Bëhet e ditur se Mitsotakis nënvizoi rëndësinë që Greqia i jep dialogut Beograd-Prishtinë për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”.


Deklarata e Athinës: Ballkani Perëndimor, Ukraina e Moldavia duhet të jenë në BE

Një darkë joformale mes liderëve të Ballkanit Perëndimorë dhe disa nga Bashkimi Evropian u mbajt në Athinë gjatë ditës së djeshme.

Në këtë takim joformal, ku mori pjesë edhe kryeministri i vendit, Albin Kurti, u fol për pushtimin e Ukrainës nga Rusia, ku u nxor edhe një deklaratë e përbashkët.

Nga kjo deklaratë thuhet se Evropa është në një moment kyç dhe se “Ballkani Perëndimor, Ukraina dhe Republika e Moldavisë, gjeografikisht ngjitur me shtetet anëtare të BE-së, kanë një trashëgimi të përbashkët evropiane, histori dhe një të ardhme të përcaktuar nga mundësitë dhe sfidat e përbashkëta”.

“Si një investim strategjik për paqen, sigurinë dhe stabilitetin në Evropë, është e rëndësishme që këto rajone të përqafohen si anëtarë të plotë të familjes evropiane”, thuhet në deklaratën e përbashkët.

Më poshtë gjeni deklaratën e plotë të përbashkët:

Pushtimi rus i Ukrainës është një moment kyç për Evropën, duke krijuar një nivel të ri ndërgjegjësimi për parimet e përbashkëta, unitetin dhe të ardhmen e përbashkët brenda BE-së. Kjo është një kohë kritike për sigurinë, paqen dhe stabilitetin e kontinentit tonë evropian. Ligjet dhe parimet që kontribuan në një rend sigurie të qëndrueshme dhe të parashikueshme evropiane për kaq shumë kohë janë shkelur dhe ne jemi dëshmitarë të shfaqjes së efekteve katastrofike të revizionizmit.

Përballë agresionit rus, ne shprehim mbështetjen tonë të palëkundur për pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës brenda kufijve të saj të njohur ndërkombëtarisht, bazuar në vlerat e demokracisë dhe sundimit të ligjit.

Në diskutimet tona sot në Athinë, ne shprehëm mbështetjen dhe vlerësimin për përpjekjet e zellshme të Presidentit të Ukrainës Volodymyr Zelenskyy në përcaktimin e parimeve për paqen në përputhje me Kartën e OKB-së, në Formulën e tij të Paqes. Ne mirëpritëm gjithashtu përpjekjet e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së për të promovuar një paqe gjithëpërfshirëse, të drejtë dhe të qëndrueshme në Ukrainë.

Ne ramë dakord se nuk mund të ketë mosndëshkim për krimet e luftës dhe mizoritë e tjera, siç janë sulmet kundër civilëve dhe shkatërrimi i infrastrukturës dhe të gjithë ata që janë përgjegjës duhet të mbahen përgjegjës.

Njëzet vjet më parë, Samiti i Selanikut pranoi se Ballkani Perëndimor i përket Bashkimit Evropian. Ne besojmë fuqishëm se sot kjo deklaratë mbetet më e rëndësishme se kurrë. Lufta e përshkallëzuar e agresionit kundër Ukrainës zbuloi nevojën urgjente për një BE të fortë, elastike dhe gjithëpërfshirëse si një gur themeli i paqes dhe prosperitetit midis popujve tanë gjatë këtyre kohërave sfiduese.

Ne theksuam se Ballkani Perëndimor, Ukraina dhe Republika e Moldavisë, gjeografikisht ngjitur me shtetet anëtare të BE-së, kanë një trashëgimi të përbashkët evropiane, histori dhe një të ardhme të përcaktuar nga mundësitë dhe sfidat e përbashkëta. Si një investim strategjik për paqen, sigurinë dhe stabilitetin në Evropë, është e rëndësishme që këto rajone të përqafohen si anëtarë të plotë të familjes evropiane.

Sot në Athinë diskutuam rrugën përpara, për ta bërë realitet këtë vizion të Evropës. Ne nënvizuam rëndësinë e vendosjes së vetes një objektiv për plotësimin e vizionit të një BE të pasuruar me Ballkanin Perëndimor, Ukrainën dhe Republikën e Moldavisë. Ne nënvizuam nevojën për një proces zgjerimi të ringjallur dhe të fokusuar që të jetë i prekshëm dhe i besueshëm, pa shkurtore për kushtet e vendosura. Ne shprehëm angazhimin tonë për të mbështetur Ukrainën dhe Moldavinë për të ndërmarrë hapat e ardhshëm në procesin e tyre të anëtarësimit sapo të kenë përfunduar reformat e nevojshme.

Ne besojmë fort se 20 vjet pas Samitit të Selanikut dhe në dritën e realitetit të ri gjeopolitik, ka ardhur koha për të miratuar një synim përfundimtar të guximshëm dhe ambicioz që do të shërbejë si udhërrëfyes, frymëzim dhe kontekst.


Kurti në Athinë, sot takohet me Mitsotakis

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dje ka udhëtuar për vizitë zyrtare në Greqi me ftesë të homologut të tij, Kyriakos Mitsotakis.

Kurti në Athinë do të qëndrojë edhe sot pasi rreth orës 10:45 do të takohet me Mitsotakis.

Mbrëmë ai ka marrë pjesë në një darkë joformale me liderët e Ballkanit Perëndimor ku ishte i pranishëm edhe presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky.


Kurti: Kusht për fqinjësinë e mirë është njohja reciproke, de-jure edhe de-facto

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, me ftesë të kryeministrit të Greqisë, Kyriakos Mitsotakis, ishte të hënën pjesë e darkës me liderët e shteteve të Ballkanit Perëndimor.

Aty u diskutua rreth invazionit dhe agresionit të paprovokuar të Federatës Ruse mbi Ukrainën, me ç’rast u theksua mbështetja e palëkundur ndaj pavarësisë, sovranitet dhe integritetit territorial të Ukrainës, teksa u kërkua përgjegjësi dhe ndëshkim për krimet e kryera gjatë luftës dhe mizoritë tjera mbi civilët, thuhet në komunikatën për media.

Bëhet e ditur se në këtë darkë që korrespondon edhe me 20-vjetorin e Samitit të Selanikut nga ku ishte bërë e qartë perspektiva për anëtarësim të plotë të gjithë Ballkanit Perëndimor, u ritheksua mbështetja për zgjerimin dhe anëtarësimin në Bashkimin Evropian dhe rruga përpara.

Aty thuhet se u diskutua edhe për çështjet rajonale. Në intervenimin e tij, kryeministri Kurti theksoi se “të gjitha shtetet që aspirojnë anëtarësim në Bashkimin Evropian duhet të i përmbahen dhe zbatojnë demokracinë, sundimin e ligjit, respektimin e të drejtave të njeriut dhe fqinjësinë e mirë. E kusht për fqinjësinë e mirë është njohja reciproke, de-jure edhe de-facto. Minoritete do të ketë çdoherë, por kërkohet simetri dhe balancë në respektimin e minoriteteve bazuar në Konventën Kornizë për Mbrojtjen e Pakicave Kombëtare.”

Në fund të takimit u miratua edhe një deklaratë e përbashkët e cila bënë thirrje për ri-energjizimin dhe ri-fokusimin në procesin e zgjerimit për anëtarësim në BE; mbështetje të palëkundur për pavarësinë e Ukrainës; ndëshkimin e krimeve të kryera gjatë luftës dhe thirrjen për përgjegjësi ndaj kryerësve të krimeve.

Ndryshe, në këtë darkë morën edhe kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkovic, kryeministri i Rumanisë, Marcel Ciolacu, kryeministri i Bullgarisë, Nikolai Denkov, presidentja e Moldavisë, Maia Sandu.

Back to top button