Kurti takon shefin e ri të EULEX-it, flasin për zhvillimet në vend
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, priti në takim shefin e ri të Misionit të Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit, EULEX, Giovanni Pietro Barbano, me rastin e fillimit të mandatit të tij, me të cilin biseduan për bashkëpunimin mes Qeverisë dhe institucioneve të rendit me EULEX-in.
“Duke e falënderuar për mikpritjen, Barbano e përgëzoi kryeministrin Kurti për progresin mbresëlënës ekonomik dhe demokratik që ka shënuar Kosova. U bisedua për bashkëpunimin ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe institucioneve të rendit dhe sigurisë me misionin EULEX me qëllim të forcimit të sundimin të ligjit, si dhe për zhvillimet në vend”, thuhet në komunikatë.
Bëhet e ditur se Kurti theksoi përkushtimin e Qeverisë për shtet ligjor, demokraci dhe mbrojtje të lirive dhe të drejtave të njeriut të të gjithë qytetarëve që jetojnë në Republikën e Kosovës.
Në takim ishte i pranishëm edhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha dhe koloneli i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Ejup Maqedonci.