Kurti takon sot Abdixhikun dhe Haradinajn

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sot do të takojë liderët e opozitës, Lumir Abdixhiku dhe Ramush Haradinaj, për të biseduar për takimin e fundit të zhvilluar në Bruksel me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Ndërsa, PDK-ja ka refuzuar takimin me kryeministrin.
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi në një përgjigje dërguar Kurtit ka thënë se nuk konsideron se në këtë moment ka një situatë emergjente për t’u takuar e për të diskutuar për përgjegjësitë e kreut të ekzekutivit në dialog.
“Nuk konsideroj se në këtë moment ka një situatë emergjente për t’u takuar e për të diskutuar për këto përgjegjësi tuajat. Megjithatë, unë mbetem i hapur dhe i gatshëm që të takohem me ju në momentin kur të ketë avancim të procesit të dialogut dhe diskutim konkret për arritjen e marrëveshjes finale, që ka për qëllim njohjen e ndërsjellë”, ka thënë Krasniqi.
Ndërsa, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku tha se pranon ftesën për shkak se çështjet kombëtare duhet të jenë mbi politikën ditore.
“Ftesa e Kurtit vjen me vonesë, por meqë besoj se çështjet kombëtare duhet të jenë mbi politikën ditore, do ta pranoj këtë ftesë”, ka shkruar ai në “Facebook”.
Ftesën e ka pranuar edhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj.
“Për mua dhe Aleancën, çështja e dialogut për njohje, gjithmonë ka qenë çështje mbipartiake. Këtë përcaktim e kam pasur edhe gjatë kohës sa e kam udhëhequr qeverinë e vendit. Gjithmonë kam konsideruar se për tema të interesit nacional, nuk ka qeveri dhe opozitë. Të gjithë e kanë pjesën dhe rolin e tyre”, ka thënë Haradinaj.
Takimi i kryeministrit me krerët e opozitës është paraparë që të mbahet sot nga ora 15:00./21Media

Back to top button