Kurti themelon Zyrë për Ekspertizë: Do të mbikëqyrë projektet kapitale dhe monitorojë kontratat e nënshkruara

(Lajm i përditësuar)


Kurti themelon Zyrë për Ekspertizë: Do të mbikëqyrë projektet kapitale dhe monitorojë kontratat e nënshkruara

Qeveria e Kosovës ka votuar pro themelimit të Zyrës për Ekspertizë, Zbatim dhe Mbikëqyrje Strategjike, që do të funksionojë në kuadër të Zyrës së Kryeministrit.

Kryeministri Albin Kurti tha se kjo zyrë është një mekanizëm i ri dhe i fuqishëm që do të garantojë që prioritet e Qeverisë të mos mbeten në letër, por të përkthehen në rezultate konkrete.

Nga kjo zyrë do të mbikëqyren në mënyrë sistematike projektet kapitale dhe do të monitorohen kontratat e nënshkruara.

“Ajo do të angazhojë ekspertizë të nivelit të lartë për nevojat e të gjitha dikastereve, duke siguruar që cdo projekt dhe program i planit të punës të zbatohet me efikasitet, ritëm dhe standard professional. Për herë të parë përmes kësaj zyrje, krijohet një qendër e specializuar për mbikëqyrje sistematike të projekteve kapitale, për monitorimin e kontratave të nënshkruara dhe për identiifkimin e pengesave në zbatim”, deklaroi Kurti.

Sipas Kurtit, ky mekanizëm do të rris llogaridhënien dhe do të sigurojë që çdo euro e buxhetit të shndërrohet në ndikim real për qytetarët.

“Kjo do të thotë më pak vonesa, më shumë bashkërendim institucional dhe një disiplinë e re në realizimin e investimeve publike”, tha Kurti.


Kurti: Për vitet 2026-2028 do të procedojmë me projektligjet për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme dhe për çmimet tavan

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në mbledhjen e sotme të qeverisë tha se në kuadër të agjendës legjislative do të prioritetizojë për vitet 2026-2028 procedimin e projektligjit për Byronë Shtetërore për Konfiskimin e Pasurisë të Pajustifikuesheme dhe projektligjin për Çmimet Tavan.

Ai tha se më pas do t’ia përcjellin Kuvendit.

“Po ashtu, do ta vendosim për votim agjendën legjislative për vitet në vijim. Aty ndër të tjera, përfshihen Projektligji për Byronë Shtetërore për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme dhe Projektligji i ri për Çmimet tavan: të dy zotime tona, të dy nevoja të vendit dhe qytetarëve, të cilat përmbushen dhe plotësohen shumë shpejt”.


Qeveria miraton projekt-programin e projektligjeve 2026-2028

Kabineti qeveritar në mbledhjen e dytë të saj, miratoi Projekt-programin e projektligjeve për vitet 2026 – 2028, për të cilat kryeministri Albin Kurti tha se këto dy ligje do t’i kenë prioritet.

Në kuadër të kësaj ai tha do ta prioritizojnë Projektligjin për Byronë e Konfiskimit të Pasurisë së Pajustifikueshme, si dhe atë për çmimin tavan

“Në kuadër të agjendës legjislative do të prioritizojmë procedimin e Projektligjit për Byronë shtetërore për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme dhe Projektligjin e ri për çmimet tavan”, tha Kurti.


Themelohet Këshilli për shënimin e 28-vjetorit të Epopesë së UÇK-së

Qeveria ka miratuar propozim-vendimin për themelimin e Këshillit Shtetëror për shënimin e 28 vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Kryesues i këshillit do të jetë ministri i Mbrojtjes Ejup Maqedonci me bashkëkryesues Andin Hotin – ministër për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, si dhe anëtarë: kryetari i Komunës së Skenderajt Sami Lushtaku, ministrja e Kulturës dhe Turizmit Saranda Bogujevci, ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal Elbert Krasniqi, gjenerali Bashkim Jashari, drejtori i Policisë Gazmend Hoxha. Nga një përfaqësues do të jenë edhe nga organizatat e dala nga lufta e UÇK-së, Zyrës së Presidentes, Kuvendit, Zyrës së Kryeministrit, si dhe Asociacionit të Komunave.

Epopeja mbahet më 5, 6 dhe 7 mars.


Kurti mbledh sot kabinetin qeveritar

Kabineti qeveritar i kryeministrit Albin Kurti do të mblidhet sot në orën nëntë të mëngjesit.

Lajmi është bërë i ditur nga Zyra e Kryeministrit.

“Mbahet mbledhja e Qeverisë së Kosovës. Ora 9:00,” ka njoftuar ZKM.

ZKM nuk ka bërë të ditur se çfarë do të shqyrtohet në këtë mbledhje.

Back to top button