Kurti thirrje ndërkombëtarëve: Rrisni presionin mbi Serbinë për gjetjen e qytetarëve tonë

(Lajm i përditësuar)
Ziadeh: Fati i personave të zhdukur të zgjidhet në frymën e pajtimit, e jo të politizohet
Përfaqësuesja Speciale e Sekretarit të Përgjithshëm (PSSP) dhe shefja e UNMIK-ut, Caroline Ziadeh, bën thirrje për vazhdimin e përpjekjeve dhe përkushtimit për zgjidhjen e fatit të viktimave të zhdukjeve të dhunshme. Ajo u bën thirrje autoriteteve që të trajtojnë çështjen e personave të zhdukur si çështje prioritare për të lehtësuar vuajtjet e familjeve.
“U bëj thirrje autoriteteve kompetente që të ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme për të zbatuar, në mirëbesim, Deklaratën për personat e zhdukur, për të cilën u pajtuan në maj në kuadër të Dialogut të përkrahur nga BE-ja,” tha ajo në një deklaratë për të përkujtuar Ditën ndërkombëtare të viktimave të zhdukjeve me forcë.
“Zgjidhja e fatit të personave të zhdukur mund të kontribuojë në procesin më të gjerë të ndërtimit të besimit, pajtimit dhe ruajtjes së paqes. Mungesa e progresit mund të dëmtojë dialogun e vazhdueshëm ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.”
Ziadeh kujton gjithashtu vizitën e fundit dhe gjetjet kryesore të Raportuesit special të Kombeve të Bashkuara për promovimin e së vërtetës, drejtësisë, dëmshpërblimit dhe garancive për mospërsëritje, Fabián Salvioli, i cili në atë kohë konstatoi se politizimi i kërkimit të personave të zhdukur kishte shkaktuar zhgënjim të madh në shoqërinë civile dhe në familjet e tyre.
“Fati i viktimave të zhdukjeve me forcë duhet të zgjidhet në frymën e pajtimit, ndërtimit të besimit dhe respektimit të të drejtave të njeriut, dhe jo të politizohet,” tha PSSP Ziadeh.
UNMIK-u do të vazhdojë të avokojë për rifillimin e bashkëpunimit për këtë çështje me një qasje të të drejtave të njeriut ku në qendër ka viktimat, në bashkëpunim të ngushtë me familjet dhe të gjithë aktorët përkatës.
Ndryshe, raporti i Salviolit do të prezantohet gjatë sesionit të 54-të të Këshillit të Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut, nga 11 shtatori deri më 6 tetor 2023.
Sipas KNKK-së, 6,065 persona janë zhdukur si pasojë e konfliktit në Kosovë në vitin 1998 dhe 1999. Aktualisht janë 1,617 raste të hapura të personave të zhdukur, prej të cilëve 1,355 janë meshkuj dhe 262 femra.
Kurti thirrje ndërkombëtarëve: Rrisni presionin mbi Serbinë për gjetjen e qytetarëve tonë
Në Ditën Ndërkombëtare të Personave të Zhdukur, kryeministri i Kosovë, Albin Kurti ka thënë se pesha e mungesës rëndon mbi familjet e 1617 personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës në Kosovë.
Kurti u ka bërë thirrje partnerëve ndërkombëtarë që ta rrisin presionin mbi Serbinë, si përgjegjëse për zhdukjen e qytetarëve tonë, për të zbardhur fatin e tyre dhe për të vënë drejtësi duke dënuar përgjegjësit politikë ushtarakë e policorë për këto krime.
“Sot e gjithnjë u bëj thirrje partnerëve ndërkombëtarë që ta rrisin presionin mbi Serbinë, si përgjegjëse për zhdukjen e qytetarëve tonë, për të zbardhur fatin e tyre dhe për të vënë drejtësi duke dënuar përgjegjësit politikë ushtarakë e policorë për këto krime”, ka shkruar Kurti në Facebook.
Ai ka shkruar në Facebook se nënat presin ditën kur do të vendosin nga një lule në kujtim të më të dashurve të tyre dhe sipas tij, atyre që u rrëmbyen e zhdukën me dhunë nga autoritetet e Serbisë urdhërdhënëse dhe ekzekutore.
Kurti theksoi se varret e hapura në Kosovë presin të vërtetën.
“Pas rënies së Millosheviqit, në Serbi u zbuluan pesë varreza të mëdha masive, me gjithsej 950 njerëz tonë të rrëmbyer e të vrarë, të vrarë e të rrëmbyer, në Batajnicë, Peruqac, Petrovo Selo, Rudnicë e Kizhevak. Serbia ende vazhdon të qëndrojë mbi varre masive teksa i mohon ato”, shkruan Kurti.
Osmani kërkon ndëshkimin e Serbisë: Po fsheh arkivat për gjetjen e të zhdukurve
Presidentja Kosovës, Vjosa Osmani, ka akuzuar Serbinë se po fsheh arkivat për gjetjen e personave të zhdukur me dhunë.
Osmani tha se Serbia s’po e respekton marrëveshjen e arritur për hapjen e arkivave.
Ajo i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar që të dënojë këtë qasje të Serbisë.
Krahas kësaj, Osmani tha se janë përmbushur zotimet për përmbushjen e marrëveshjes së Bratillsavës, derisa tha që pret që pas takimit të shtatorit të largohen masat ndëshkuese të BE-së ndaj Kosovës.
Osmani e Konjufca bëjnë homazhe tek memoriali për të zhdukurit
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani bashkë me kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufca dhe zyrtarë qeveritarë kanë bërë homazhe pranë përmendores dedikuar personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës, me rastin e shënimit të Ditës ndërkombëtare të personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës në Kosovë.
Gjithashtu, homazhe bënë edhe Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur dhe Këshilli Koordinues i Asociacioneve Familjare të të Zhdukurve të Kosovës.
Më shumë se dy dekada pas përfundimit të luftës, në Kosovë vazhdojnë të mungojnë edhe mbi 1600 persona, të zhdukur me dhunë.
Sot Dita Ndërkombëtare e Personave të Zhdukur
Sot është Dita Ndërkombëtare e Personave të Zhdukur. Më shumë se dy dekada pas përfundimit të luftës, në Kosovë vazhdojnë të mungojnë edhe mbi 1600 persona.
Për të shënuar këtë ditë presidentja e vendit, Vjosa Osmani, dhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, do të bëjnë nderime te Memoriali për të Pagjeturit në Prishtinë.
Gjithashtu, Zyra e Kryeministrit, Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur dhe Këshilli Koordinues i Asociacioneve Familjare të të Zhdukurve të Kosovës, organizojnë homazhe pranë përmendores dedikuar personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës.
Homazhet do të fillojnë nga ora 10:00
Pas përfundimit të luftës në Kosovë, në vitin 1999, të zhdukur kanë qenë rreth 6.500 persona. Që nga ajo kohë janë kryer disa zhvarrime në varreza masive në Kosovë dhe Serbi dhe deri më tash janë gjetur rreth 70 për qind e të zhdukurve.