Kurti thotë se Kosova është vend i përshtatshëm dhe me potencial për investitorë të huaj

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti priti sot në takim ambasadorin e Shtetit të Katarit, Ali Bin Hamad Al-Marri.

Duke qenë takimi i parë bilateral që nga marrja e detyrës së kryeministrit nëntë muaj më parë, ambasadori Al-Marri e uroi Kurtin për detyrën dhe i dëshiroi suksese të mëtejme përgjatë mandatit qeverisës.
“Me këtë rast, ai e njoftoi ambasadorin e Katarit, Al-Marri për zhvillimet pozitive në vend, me theks në rritjen dyshifrore ekonomike, teksa në krahasim me vitin e kaluar dhe atyre pararendës janë rritur të hyrat buxhetor, është rritur eksporti dhe formalizimi i ekonomisë si dhe investimet e huaja. Kryeministri tha se Kosova është vend i përshtatshëm dhe me potencial për investitorë të huaj, me stabilitet politik dhe një qeveri të fokusuar në drejtësi dhe zhvillim ekonomik”, thuhet në njoftim.
Kryeministri tha se Kosova është vend i përshtatshëm dhe me potencial për investitorë të huaj, me stabilitet politik dhe një qeveri të fokusuar në drejtësi dhe zhvillim ekonomik.
I jemi mirënjohës mbështetjes së Katarit ndër vite, e sidomos për ndihmën me pajisje mjekësore në ballafaqimin me pandeminë COVID-19, u shpreh kryeministri.
Më tej ai falënderoi shtetin e Katarit për lehtësimin e hapjes së ambasadës së Kosovës në Doha, për përkrahjen e deritanishme në anëtarësimin në organizata ndërkombëtare, dhe bëri thirrje që kjo mbështetje të vazhdojë edhe më tutje.
Ambasadori Al-Marri tha se është nder t’i qëndrojmë përkrah shtetit të Kosovës.
“Populli duhet të jetë përfituesi kryesor i bashkëpunimit tonë”, tha ambasadori, i cili më tej shprehu interesimin dhe gatishmërinë për të avancuar edhe më tej marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve./21Media

Back to top button