Kurti thotë se po bëhen përgatitje për gërmim në Kozhle të Serbisë në kërkim të të zhdukurve

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar të enjten se kanë filluar përgatitjet për gërmime në lokacionin Kozhle në Serbi, në kërkim të personave të zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Ai ka thënë se shpreson që kjo ”nuk është një përpjekje e re nga shteti serb për të evituar nga agjenda e gërmimeve lokacionet e tjera të shënjuara nëpër Serbi”.
“Nuk ka kufomë, nuk ka krim, ishte strategjia e Serbisë për fshehjen e krimeve të kryera mbi shqiptarët në Kosovë. Kjo strategji vazhdon të zbatohet edhe sot nga trashëgimtarët politikë të [ish-liderit serb, Sllobodan] Millosheviqit në Beograd. Deri më tani shteti serb nuk ka ndarë informacionet nga hapja e arkivave”,, ka thënë Kurti.
Kurti po ashtu ka bërë thirrje edhe një herë që Serbia t’i hapë arkivat shtetërore.
Kryeministri i vendit Albin Kurti ka deklaruar se janë rreth 13 lokacione brenda Kosovës të adresuara për zbardhjen e fatit të të pagjeturve.
Në tryezën e organizuar për personat e zhdukur me dhunë gjatë luftës së fundit në Kosovë, Kurti shtoi se kanë dërguar disa herë kërkesa për hapjen e arkivave më Serbi. Ai u zotua se do të vazhdojnë përpjekjet për zbardhjen e fatit të të zhdukurve.