Kurti tregon se a do të tërhiqen forcat amerikane nga Kosova
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se nuk beson që NATO-ja do të largohet nga Kosova.
Kurti është pyetur për mundësinë që SHBA-ja të largojë trupat e saj nga Kosova, bazuar në tërheqjen që ka bërë nga Afganistani dhe deklaratën e presidentit Biden, se largimi nga Afganistani nuk është vetëm për këtë shtet por edhe për përfundimin e një historie të ndërhyrjeve ushtarake për ribërjen e shteteve.
“Unë nuk mendoj që NATO do të largohet nga Kosova. Sepse NATO-ja intervenoi këtu dhe misioni ishte shumë i qartë, për ta çliruar Kosovën, për të mos rënë përsëri në duart e Serbisë, shtet ky që është shumë i afërt me Rusinë”, ka thënë Kurti në një intervistë për Al-Jazeeran.
Sipas tij, një prej arsyeve kryesore pse NATO-ja ekziston, është rreziku nga Rusia.
Kurti po ashtu ka deklaruar se nuk mund të tërhiqen paralele mes Kosovës dhe Afganistanit në këtë aspekt pasi, Kosova synon të anëtarësohet në NATO ndërkaq Afganistani jo.