Kurti në Austri, viziton Akademinë e Shkencave

Qëndrimin në Austri, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e filloi me një takim në Akademinë Austriake të Shkencave, ku u mirëprit nga Kryetari i Divizionit të Shkencave Humane dhe Sociale, Prof. Oliver Schmitt dhe dy hulumtuesit në njësinë e Studimeve Ballkanike, Dr. Joachim Marzinger dhe Dr. Robert Pichler.
Zyra e Kryeministrit ka njoftuar se, gjatë bisedës u fol për punën e Akademisë në përgjithësi dhe për njësinë e Studimeve Ballkanike në veçanti. Në kuadër të këtij takimi, kryeministri Kurti gjithashtu vizitoi departamentin e Albanologjisë ku iu prezantuan botime origjinale të rralla të periudhës së Rilindjes.
Akademia Austriake e Shkencave u themelua në vitin 1847. E përbërë nga 25 institute kërkimore në fushën e artit, shkenca humane dhe sociale dhe shkencave natyrore, ajo është institucioni austriak kryesor jouniversitar për hulumtime bazë.
Kurti po qëndron në Austri për të marrë pjesë në Samitin e Liderëve të Socialistëve dhe Demokratëve të Ballkanit Perëndimor, me temën “Zgjerimi i Ballkanit Perëndimor TANI! Për një shoqëri sociale, demokratike, paqësore”.

Back to top button