Kurti uron Pashkët Ortodokse në gjuhën serbe: Fryma e Pashkëve ju dhuroftë paqe

(Lajm i përditësuar)

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka uruar Pashkët të gjithë besimtarëve ortodoksë.

I pari i Kosovës urimin e ka bërë përmes një videoje në gjuhën serbe.

“Të gjithë qytetarëve të Kosovës, të fesë ortodokse ju uroj Pashkët. Ne do të vazhdojmë kujdesin tonë për ju, besimtarë ortodoksë, dhe duke garantuar më tej lirinë themelore të besimit, si dhe sigurinë e përgjithshme.
Ju uroj që festat t’i kaloni në gëzim dhe paqe së bashku me familjen dhe fqinjët tuaj. Fryma e Pashkëve ju dhuroftë paqe, drejtësi dhe begati të gjithë juve, qytetarëve tanë! Gëzuar Pashkët!”, ka uruar Kurti.

Osmani uron Pashkët Ortodokse: Të mbizotërojë paqja dhe respekti

Sot besimtarët ortodoksë kremtojnë Pashkët. Në këtë ditë, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka uruar që paqja dhe respekti të mbretërojë në secilën familje!

“Pashkët janë festë e ringjalljes, ringritjes dhe shpresës dhe mundësi për ta ndarë gëzimin e shpresën me të gjithë. Festat si kjo janë manifestim i vlerave të përbashkëta njerëzore, humanizmit e solidaritetit, të cilat ngjallin shpresë për të ardhmen! Le të dëshmohet në këtë festë shpirti ynë solidar dhe ta vazhdojmë traditën e çmuar të kremtimit të festave në frymën e mirëkuptimit, tolerancës dhe respektit të ndërsjellë! Për shumë mote, gëzuar Pashkët ortodoksë!”, ka uruar Osmani.

Haradinaj uron Pashkët ortodokse: Kjo festë le të shërbejë për të rritur unitetin dhe tolerancën ndaj njëri-tjetrit

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka uruar gjithë besimtarët ortodoksë me rastin e festës së Pashkëve.

Në faqën e tij në Facebook, Haradinaj ka shkruar se kjo festë duhet të shërbejë si motiv shtesë për promovimin e vlerave njerëzore dhe për të rritur unitetin dhe tolerancën ndaj njëri-tjetrit.

“Vëllezërve dhe motrave shqiptarë ortodoksë, të gjithë bashkëqytetarëve të Kosovës dhe miqve ndërkombëtarë që shërbejnë në vendin tonë, që festojnë sipas kalendarit julian, për shumë mot Pashkët! Kjo festë le të shërbejë si motiv shtesë për promovimin e vlerave njerëzore dhe për të rritur unitetin dhe tolerancën ndaj njëri-tjetrit”, ka shkruar ai.

​Besimtarët ortodoksë kremtojnë pashkët

Besimtarët ortodoksë në të gjithë botën kremtojnë sot ngjalljen e Jezu Krishtit në meshën e pashkëve, tre ditë pas vdekjes së tij në kryq. Pashka është një nga kremtimet më të mëdha të ortodoksëve.

Festimet e pashkës nisin me meshën e madhe të së shtunës mbrëma dhe përfundojnë me drekën tradicionale të së dielës. “Krishti u ngjall”, është “refreni” i kësaj dite festive i cili shprehet njëzëri nga të gjithë besimtarët duke trokitur vezën e kuqe të pashkëve që simbolizon gjakun e Krishtit.

Festa e pashkëve ortodokse gjithashtu shoqërohet me bukën e ëmbël, flakën e shenjtë dhe mishin e qengjit.

Vezët janë simbol i jetës, ndërsa ngjyra e kuqe simbolizon sakrificën e Jezu Krishtit, që është e mbyllur dhe e përgjumur brenda lëvozhgës së saj, ndërsa ngjyra e kuqe e vezëve simbolizon sakrificën dhe në rastin konkret, sakrificën e Krishtit, simbolikë e fitores, gëzimit dhe jetës.

Pjesë tjetër e traditës së pashkës ortodokse është buka e pashkës, ku vendoset veza e kuqe në mes, e cila duke qenë e ëmbël shpreh kuptimin e ëmbëlsisë dhe lumturisë të cilat i përmbajnë fjalët e Zotit dhe lutjet e besimtarëve.

Zakonisht në traditën ortodokse vezët ngjyrosen ditën e enjte para pashkëve dhe konsumohen ditën e diel ose në ditët në vazhdim.

Back to top button