Kurti: Vetëm ata të cilët nuk i duan familjet e veta dhe fëmijët e vet mund të mos e votojnë LVV-në

Lëvizja Vetëvendosje në kuadër të fushatës zgjedhore ka mbajtur një tubim në Lipjan më 02.02.2025.
Para qytetarëve të Lipjanit, kandidati i LVV-së për kryeministër, Albin Kurti, ka vazhduar kritikat për ish-qeveritarët, duke i akuzuar se të njëjtit kanë qenë “qeveri veç për vete”.
Sipas tij, “atyre kurrë s’iu ka shkuar mendja as për mbështetje financiare për nënat e reja, gratë lehona, s’iu ka shkuar mendja kurrë për mbështetje financiare – për shtesa për fëmijë”.
Ndërsa ka thënë se vetëm ata të cilët nuk i duan familjet e veta dhe fëmijët e vet, ata mund të mos votojnë për Vetëvendosjen.
“Edhe anëtarësitë e partive tjera më së shumti përfitojnë kur fitojmë ne sepse ata përfitimet i koncentrojnë lart, ata ia rrisin rrogën vetes, ata nuk kujdesen për popullin. Edhe anëtarësitë e partive të tjera përfitojnë më së shumti: gratë, fëmijët, pleqtë, burrat, djemtë: edhe ata përfitojnë më së shumti me fitu ne. Pra vetëm ata të cilët nuk i duan familjet e veta dhe fëmijët e vet, ata mundem mos me votu për Vetëvendosjen e me votu për vete. Por nëse i duan familjet e veta, nëse i duan fëmijët e vet, nëse i dojnë prindërit e vet, prap edhe ata duhet me votu për Vetëvendosjen sepse veç ne kemi program për këto kategori shoqërore që i kanë nevojat më të mëdha dhe e kanë pasë historikisht kontributin më të lartë për shtetin e për kombin tonë”- ka thënë ai.
Kurti në fjalimin e tij numëroi, sipas tij, të arriturat e qeverisjes Kurti duke theksuar rritjen e buxhetit të shtetit, ekonomisë së vendit e bruto produktit vendor.
Ai ka thënë se do ta rrisin edhe numrin e çerdheve, por njëkohësisht edhe mbështetje prej 100 eurove shtesë pensioneve të gjyshërve të cilët përkujdesen për fëmijët 1-3 vjeç e që u punojnë të dy prindërit.
Kandidati i LVV-së për deputet, Glauk Konjufca, u shpreh se kjo parti në qeverisje ka sjellë më shumë ushtarë për ushtrinë, më shumë policë për policinë, më shumë bursa për studentë, më shumë subvencione për bujqit, më shumë të ardhura për gratë dhe fëmijët, si dhe më shumë siguri për kufijtë dhe më shumë sovranitet për Kosovën.
Ndërsa, kandidatja për deputete, Albulena Haxhiu, theksoi se në mandatin e Qeverisë Kurti 3 të gjitha reformat e projektet që janë munduar t’i bllokojnë do të jetësohen.Lëvizja Vetëvendosje ka mbajtur një tubim edhe në Ferizaj.