Kurti: Prokuroria nuk do t’ia ndriçojë më rrugën hajnave
Albin Kurti tha se me Qeverinë e VV-së, prokuroria do të veprojë kundër të kriminalizuarve dhe të korruptuarave
Kandidati për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti sot ka mbajtur tubim elektoral në Komunën e Drenasit, me ç’rast u zotua se nën qeverisjen e saj prokuroria do të veprojë kundër të kriminalizuarve dhe të korruptuarave deri në konfiskimin e pasurisë së tyre të paligjshme.
Ai ka shprehur besimin se në zgjedhjet e parakohshme të 11 qershorit do të fitojë Vetëvendosje, ndërsa për koalicionin PDK-AAK-Nisma ka thënë se japin premtime të rreme.“Si do që të jetë, më 11 qershor populli voton masivisht për ndryshimin. Ne dalim të parët më 12 qershor. Jemi duke festuar e më 13 qershor merret vesh përfundimisht se çka ka mbetur nga këto dy koa licione që e kanë lodhur popullin e që ne do t’i lodhim në zgjedhjet e së dielës. Shumë prokurorë në këto vitet e pasluftës i kanë ndjekur hajnat me drita të gjata. Me Qeverinë e VV-së, prokuroria nuk do t’ia ndriçojë më rrugën hajnave. Prokuroria do të veprojë kundër të kriminalizuarve, të korruptuarave deri në konfiskimin e pasurisë së tyre të paligjshme”, tha Kurti.
Kandidati për deputet, Rexhep Selimi tha se qytetarët kanë vendosur tashmë se kë do të votojnë, teksa ka ftuar Albin Kurtin të bëhet gati, pasi po e presin të gjithë në ballë të qeverisë.”Pushteti i kaluar, që kurrë mos ardhtë më, është përgjegjës edhe para Drenicës, edhe para UÇK-së, sepse luftëtarët më të mëdhenjtë të Drenicës ia dërgoi në burg. Është përgjegjëse edhe para UÇK-së, sepse UÇK-së ia krijoi Gjykatën Speciale, për ta dënuar para gjykatores e jo për t’i dërguar hajnat para gjykatësve e prokurorëve. Prandaj, o me të kaluarën e pandershme, o me Albin Kurtin e përparuar. Prandaj le ta fillojmë këtu, t’i biem gjarprit këtu në kokë, që gjarpri të mos ketë më vend në folenë e shqiponjave”, tha Selimi.
Kryetari i Qendrës së Lëvizjes Vetëvendosje në Drenas njëherë edhe kandidat për deputet në Kuvendin e Kosovës, Shemsi Elezi, tha se që 18 vjet pasluftës është duke u keqpërdorur vullneti i qytetarëve të Drenasit. “Dua t’ju them se klani pronto nuk e ka zanafillën nga Drenica, por nga individë të cilët që 18 vite e kanë keqpërdor vullnetin e qytetarëve të Drenasit, duke ua marrë votat e bashkë me to edhe perspektivën e tyre. Drenasi me qytetarët e tij e ka drejtuar mendjen, sytë dhe trupin drejt Vetëvendosjes. Drenasi nuk e përkrah klanin pronto e tash së fundmi as koalicionin e panikut”, tha Elezaj./21Media