Kusari-Lila: Integrimi i Kosovës në BE s’ka alternativë

(Lajm i përditësuar)

Ndërsa lidhur me çështjen e liberalizimit të vizave, Mimoza Kusari-Lila tha se është e kufizuar të jap përgjigje derisa nuk ekziston një konfirmim zyrtar i kërkesave për Kosovën.
“Në momentin kur nuk ekziston një konfirmim zyrtar i kërkesave që janë për Kosovën apo kushteve teknike siç janë quajtur, unë kufizohem në dhënien e një përgjigje definitive në këtë fushë. Besoj që ky është një proces, ashtu siç është thënë shumë herë deri në këto momente tashmë është caktuar një datë kur vendet të cilat kanë propozuar ose kanë diskutuar për çështje që duan t’i ngrisin në raport për liberalizimin e vizave janë kërkuar që ato të dorëzohen me shkrim… Besoj që procesi si i tillë do të vazhdojë në rrugën e vet dhe pashmangshëm Kosova është në udhëtim njëdrejtimësh, integrimi në Bashkimin Evropian për Republikën e Kosovës nuk ka alternativë dhe ky është qëndrimi ynë në të gjitha funksionet që i ushtrojmë qoftë në legjislativ apo ekzekutiv”, tha ajo.
Në mbledhjen e mbyllur, të mbajtur të enjten në Këshillin e Bashkimit Evropian, u raportua se procesi i liberalizimit të vizave për Kosovën të lidhet me funksionalizimin e sistemit për siguri në Evropë, ETIAS. Këtë kërkesë, bashkë me atë për harmonizimin të sistemit të vizave të Kosovës me atë të Bashkimit Evropian, e ka kërkuar Franca.
Kryesia vendos që në seancën e sotme të përfshihen edhe 5 marrëveshje ndërkombëtare
Mbledhja e sotme e Kryesisë së Kuvendit e paralajmëruar për në orën 10:00, nuk ka pasur kuorum. Kështu thënë kryetarja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, e cila tha se ky takim në aspektin formal nuk filloi, por kanë biseduar me shefat e grupeve parlamentare dhe anëtarë të tjerë të Kryesisë, për dinamikën e seancës së sotme dhe vazhdimin e pikave të papërmbyllura.
Kusari-Lila po ashtu bëri të ditur se janë dakorduar që me mocion në fillim të seancës së sotme, në agjendë të përfshihen edhe 5 marrëveshje ndërkombëtare që janë shtyrë nga java e kaluar.
“Pesë marrëveshjet janë në mes të Kosovës dhe Bashkimit Evropian dhe kanë të bëjnë me marrëveshjen IPA dhe të pestat do të mbështetën edhe nga partitë opozitare. U dakorduam poashtu që të enjten e radhës të kemi një seancë me trajtimin e të gjitha pikave të papërmbyllura nga seancat e deritashme”, tha Kusari-Lila.
Kuvendi i Kosovës do të mblidhet në dy seanca të ndryshme plenare gjatë ditës së sotme. E para është paraparë të fillojë në ora 11:00 kurse e dyta në ora 15:00./21Media

Back to top button