Kusari- Lila: Lista Serbe s’ka çka lyp në Kuvend
![](https://i0.wp.com/rtv21.tv/wp-content/uploads/2024/12/96121733425439.jpg?resize=600%2C400&ssl=1)
Shefja e Grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka reaguar pasi deputetët e Listë Serbe erdhën sot në Kuvend për t’u paraqitur një herë në çdo gjashtë muaj sa për të marrë pagat e rregullta.
Në një postim në Facebook, Kusari-Lila tha se deputetët e Listës Serbe gjatë gjithë kohës mbështesin politikat destabilizuese të presidentit serb duke bojkotuar Kuvendin e Kosovës dhe mbështetur përgjegjësin për sulme terroriste të Banjskës Milan Radoiçiq.
Postimi i plotë:
Provokuan, krah i terroristëve dhe atyre që mbështesin politikat agresive të Vuçiqit
Sot vazhduam me një agjendë dinamike legjislative. U miratuan një grup ligjesh që bartin potencialin për zhvilluar një mori sektorësh.
Të gjitha ato kanë në qendër mirëqenien e qytetarëve dhe forcimin e institucioneve te shtetit tonë.
Po ashtu sot ishim dëshmitarë të një provokimi nga ana e deputetëve të Listës Serbe.
Ata siç e kanë bërë zakon shfaqen një herë në 6 muaj e në ndërmjet i bëhen krah jo qytetarëve të Kosovës, por terroristëve dhe gjithë atyre që i mbështesin politikat agresive të Vuçiq.
Po siç e tha Kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca s’kanë çka kërkojnë mbështetësit e kryeterroristit në Kuvendin e qytetarëve. Kjo legjislaturë u ka dhënë qytetarëve mbi 300 ligje të reja.
Ndërsa sot midis të tjerave u miratuan Ligji për Byronë e konfiskimit të pasurisë së paligjshme, Ligji për banimin social dhe të përballueshëm dhe Ligji për sigurimin e detyrueshëm shëndetësor. Urime dhe puna vazhdon pa ndalur!