Kushtetuesja nën “trysninë” e LVV-së?

Nën trysninë e deklarimeve publike të zyrtarëve të LVV-së, të cilët kërkojnë që Kushtetuesja të vendosë në favor të kërkesës së tyre që dekreti i presidentes Osmani të shpallet antikushtetues, Gjykata Kushtetuese do të fillojë shqyrtimin e dekretit në fillim të javës së ardhshme. Burimet e RTV21 brenda Kushtetueses thonë se fillimisht janë pranuar materialet e palëve të interesit, të cilat duhet të përkthehen në gjuhët përkatëse për shtatë gjyqtarët e Gjykatës.
Mbrëmjen e së enjtes, presidentja ka dorëzuar në Kushtetuese komentet e saj sa i përket pretendimeve të Qeverisë dhe grupit parlamentar të LVV-së se dekreti i saj ishte antikushtetues. Në komentet e presidentes përmendet ndër të tjera përmendet edhe qëndrimi i Kurtit dhe LVV-së se 5 marsi ishte dita e fundit për zgjedhjen e presidentit të ri.
“Data 5 mars 2026 si datë e fundit për zgjedhjen e Presidentit të vendit është konfirmuar në mënyrë të përsëritur në deklarime publike, si para ashtu edhe pas nxjerrjes së Dekretit nr. 24/2026, edhe nga ana e vetë parashtruesve të kërkesave, përfshirë Kryetaren e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kryeministrin e Republikës së Kosovës, anëtarë të tjerë të Qeverisë dhe deputetë të shumicës parlamentare, një pjesë e të cilëve janë edhe parashtrues të kërkesës KO74/26. Rrjedhimisht, ky ndryshim në qëndrim duhet të shihet si përpjekje për të zvarritur shpërndarjen e Kuvendit, si rezultat i pashmangshëm dhe përfundimtar, e jo si një paqartësi e dispozitave kushtetuese.”
Hulumtuesi në Institutin e Kosovës për Drejtësi, Naim Jakaj, vlerëson se deklarimet e fundit publike të zyrtarëve të LVV-së se Gjykata Kushtetuese duhet të vendosë në favor të tyre janë presioni i radhës ndaj gjyqtarëve të Kushtetueses.
“Nuk është hera e parë që akterët politikë, veçanërisht LVV-ja, e cila është në pushtet, e sulmojnë Gjykatën Kushtetuese, por edhe ndërhyjnë përmes deklaratave publike. Kjo është ndërhyrje në sistemin e drejtësisë duke i bërë presion Gjykatës që ajo të vendosë në formën siç dëshiron LVV-ja. Një gjë e tillë nuk do të duhej të ndodhte. E dimë se si Kosova, respektivisht kryeministri Kurti, ish-kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca dhe presidentja aktuale Osmani, i kishin dërguar letër Këshillit të Evropës se nuk do të ndërhyjnë në drejtësi përmes deklaratave publike. Tashmë ky zotim nuk po jetësohet dhe ne do të jemi dëshmitarë se në Raportin e Progresit Kosova mund të renditet si vend që sulmon dhe ndërhyn në sistemin e drejtësisë përmes deklaratave publike.”
Juristja Anita Shabani vlerëson se dekreti i presidentes ishte i domosdoshëm, pasi deputetët dështuan ta zgjedhin presidentin e ri brenda afatit 30-ditor. Prandaj, tani ajo kërkon nga partitë politike që të qëndrojnë larg Gjykatës Kushtetuese dhe gjyqtarëve të saj, të cilët duhet të punojnë pa presione për zgjidhjen e bllokadës.
“Secili subjekt politik duhet të qëndrojë larg vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. Gjykata Kushtetuese është institucioni përfundimtar që nxjerr interpretimet dhe nuk duhet të ketë presion. Po ashtu, edhe vetë gjykatësit nuk duhet të ndiejnë presion të jashtëm që vjen nga partitë politike. Ne e kemi parë edhe më herët këtë presion të vazhdueshëm nga partitë më të mëdha, siç është Lëvizja Vetëvendosje, ndaj Gjykatës Kushtetuese apo institucioneve të tjera gjyqësore. Por ato assesi nuk duhet të bien pre e këtij presioni. Interpretimet e tyre duhet të vijnë në mënyrë që situata aktuale, por edhe në të ardhmen, të ketë zgjidhje për situata të tilla si kjo në të cilën gjendemi tani.”
Gjykata Kushtetuese ka qenë e rezervuar të jap ndonjë qëndrim nëse gjyqtarët e saj po e ndiejnë presionin e deklarimeve publike të LVV-së./RTV21/21Media