Kuvendi me dështim pas dështimi, Haxhiut i bien votat

(Lajm i përditësuar)


Deklarohet Haxhiu: Shpresojmë në reflektimin e opozitës

Kandidatja e Lëvizjes Vetëvendosje për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiu u deklarua pas seancës së Kuvendit ku për të gjashtën herë dështoi të marrë postin e kryetares së këtij institucioni.

Ajo tha se shpreson në reflektimin e deputetëve të partive tjera.

Kuvendi i Republikës së Kosovës duhet të konstituohet dhe shpresojmë shumë në reflektim të opozitës’’, ka thënë shkurtimisht ajo para gazetarëve.

Ndryshe sot për të tetën herë me radhë, Kuvendi i Kosovës ka dështuar ta konstituojë legjislaturën e re. Kandidatja e LVV-së për kryeparlamentare, Albulena Haxhiu nuk i ka siguruar votat e nevojshme, ku në votim e sotëm, 54 deputetë votuan në favor të Haxhiu, 44 ishin kundër dhe tre abstenuan, duke mos arritur kështu pragun e 61 votave të nevojshëm.


Berisha i AAK-së kërkon ndihmën e Trumpit për zgjedhjen e ngërçit

Deputeti  AAK-së Bekë Berisha pas seancës së Kuvendit të Kosovës ka kërkuar që presidenti Trump të ndihmojë në zgjedhjen e situatës në Kosovë.

“Media, të nderuara qytetarë të Republikës së Kosovës, po shihet që kjo s’po mbaron edhe si duket, i kanë mësu këta liderë tonë politikë, veç me iu kallëzu, me i kap përkrahi me thanë qashtu duhet me ja ba, na jemi shqetësum për këtë situatë edhe normalisht që bisedojmë me grupin edhe e kemi një propozim, si grup parlamentar mendojmë edhe kërkojmë nga kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, që me zgjedhë një shesh ndër sheshet kryesore të Prishtinës edhe me ia vu emrin e presidentit Trump, në mënyrë që të angazhohen edhe të mos na harrojnë, sepse na kanë na kanë harru s’po merret kush me neve dhe si duket, na nuk jemi të zotë për me i zgjedhë asnjë situatë politike në Kosovë.”, ka thënë ai pas seancës.


Murati: Të votohen në paketë emri i Haxhiut dhe i nënkryetarëve të partive opozitare

Deputeti i Vetëvendosjes Hekuran Murati pas dështimit të tetë të konsitutimit të Kuvendi hodhi sërish akuza ndaj partive tjera që nuk po e votojnë Albulena Haxhiun për kryetar të Kuvendit.

“Siç edhe e patë, pra kemi një përsëritje të seancave të kaluara, ku Kuvendi dështon apo nuk arrin të konstituojë vetveten, e kjo vjen si rezultat për shkak që një pjesë e deputetëve pra refuzojnë që të votojnë për kandidatin të cilin apo për kandidaten në këtë rast, zonja Albulena Haxhiu, të cilën e kemi propozuar ne si fitues të zgjedhjeve e drejtë kjo e cila pra na garantohet dhe është e përcaktuar në Kushtetutë Konsideroj që një situatë e tillë po vjen për shkak të atyre që nuk po votojnë për në të njëjtën kohë të njëjtit pra ankohen që ka bllokim të situatës, bllokim të Kuvendit, siç e kemi thënë edhe më parë, bllokadë do të ishte po qe se ne do të do të vepronim siç kanë vepruar ata në të kaluarën, pra, të mos propozojmë fare kandidatë në seancë dhe pastaj kjo të zvarritet derisa ne të arrinim marrëveshje politike në situata të tjera për formimin e Qeverisë, siç ka ndodhur me ata Pra kur kryetari i Kuvendit, pos si kryetari të Kuvendit ka qenë pjesë e diskutimeve politike në formimin e Qeverisë ndërkaq në rastin tonë propozimi i kandidates për kryetar të Kuvendit është bërë në kuadër të konstituimit të Kuvendit, në mënyrë që t’i hapet rrugë qeverisë pra, formimi i Qeverisë vjen tek më pastaj që mandatari i përcaktuar, pra në këtë rast zotëri Kurti, do t’i ketë 15 ditë për formimin e Qeverisë. “, tha ai.

Më tej komentoi deklaratat e deputetëve të partive tjera për imponim të votës.

“Siç i dëgjuat edhe të tjerët, pra ka akuza që po kërkohet të votohet me zor, përkundrazi ne kemi dëgjuar që deputetë individualë tashmë kanë shprehur vullnetin dhe dëshirën e tyre që dalin nga kjo situatë, pra nga opozita po flas, që të votojnë për, në mënyrë që të tejkalohet kjo bllokadë Megjithatë, janë qëndrimet politike të subjekteve të tyre pra që nuk i lejojnë që të ndahen nga grupi parlamentar dhe nga vota uniforme që e kanë si grup, derisa i tërë grupi të ndryshojë mendim, Pra, nëse veç ka kufizim të drejtës për votim, ka në këto parti, të cilat pra insistojnë që të votohet kundër apo të mos merret fare pjesë në votim, ndërkaq, situatat e tjera, besoj që tashmë edhe janë më se të qarta, sepse i kemi përsëritur disa herë ajo çfarë po kërkon opozita me këtë insistimin që ne duhet t’i sigurojmë vetë votat pra si parti fituese e jo kjo të jetë obligim i të gjithë deputetëve të Kuvendit kjo na rezulton në situatën ku ata parimisht, pra po kërkojnë që ne pastaj të mos ua votojmë kandidatët e tyre për nënkryetarë.”, tha ai./21Media


Krasniqi: Vetëvendosje nuk mundet me i kërku votat me zor, po tallen me të gjithë

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi dha  tri mesazhe pas seancës së Kuvendit.

“E para, demokracia funksionon me shumicë, jo me imponim, e dyta institucionet janë të popullit nuk janë të asnjë partie politike të veçantë, dhe e treta duhet ta kuptojnë gjithë që koha e sundimit një partiak dhe imunizimit ka përfundu sa më parë që ti kupton Lëvizja Vetëvendosje këto tri çështje, aq më mirë për vendin, sepse vërtet është e tepërt që të sillemi këtu çdo dy ditë, duke pritur që t’i thirrim arsyes dhe të propozojnë një kandidat apo një kandidate që e merr shumicën e deputetëve të Kosovës.”, tha Krasniqi.

Ai shtoi se Vetëvendosje nuk ka të drejtë ta imponojë votën për kryetar të Kuvendit.

E kemi thënë dhe po e përsëris po i takon Lëvizjes Vetëvendosje me e propozu kryetarin e Kuvendit, po nuk mundet me i kërku votat me zor ky mentalitet i imponimit, ky mentalitet i presionit dhe i nënshtrimit duhet të merr fund ma Vërtet është e tepërt dhe edhe një herë edhe në emrin tim dhe në emër të Partisë Demokratike të Kosovës shpreh keqardhjen më të madhe në drejtim të qytetarëve të Kosovës për këtë situatë dhe për këtë tallje që po e bën me të gjithë Lëvizja Vetëvendosje si partia që me qëllim po e mban të bllokum Kuvendin e Kosovës.”, ta ai./21Media


Bajrami u kërkon falje qytetarëve: Përgjegjësia duhet të kërkohet nga LVV-ja

Deputetja e LDK-së , Hykmete Bajrami pas seancës së Kuvendit ka thënë se përgjegjës për situatën në Kuvend është Lëvizje Vetëvendosje.

Ajo u ka kërkuar falje qytetarëve duke thënë se pengmarrja e initucioneve nga Vetëvendosje po i kushton qytetarëve.

Lidhja Demokratike e Kosovës, shpreh keqardhje qytetarëve të Republikës së Kosovës që Kuvendi me insistimin për kandidaturën e njëanshme është hera e gjashtë që zonja Haxhiu mori kësaj radhe vetëm 54 vota dhe ata insistojnë në këtë kandidaturë duke u mbledhur çdo 48 orë.

Lidhja Demokratike e Kosovës është për një zgjedhje për të gjetur një zgjidhje kushtetuese, e cila respekton Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe rezultatin e dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit.”,, tha Bajrami.

“Ne njohim të drejtën e të parit për të propozuar, mirëpo kjo nuk do të thotë që ne e bartim votën tonë tek një subjekt tjetër, duke votuar sipas kërkesave të tyre. Pengmarrja e institucioneve nga ana e Lëvizjes Vetëvendosje është duke iu kushtuar qytetarëve të Republikës së Kosovës, ata po përballen me probleme të ndryshme dhe askush ato nuk po i adreson.

Andaj përgjegjësia duhet të kërkohet pikërisht prej tyre, edhe një herë po e them që na vjen keq që ne në bazë të rezultatit natyrisht edhe  vullnetit tonë, jemi pjesë e Kuvendit të Republikës së Kosovës, mirëpo pa dashje jemi pjesë e këtij teatri i cili tashmë po besoj që është bërë mjaft për secilin qytetar të Republikës së Kosovës.”, shtoi ajo./21Media


Sërish dështon Albulena Haxhiu, merr tri vota më pak se seancave të kaluara

Kandidatja e LVV-së,  Albulena Haxhiu dështoi sërish të zgjedhet kryetare e Kuvendit. Ajo ka marrë vetëm 54 vota pro, tri më pak se herave të kaluara, derisa 44 deputet votuan kundër e tri abstenime.


Fillon Seanca  e Kuvendit

Ka filluar seanca e Kuvendit të Kosovës, ku tentohet të zgjedhet Kryetarja e Kuvendit. Vetëvendosje propozoi Albulena Haxhiun.


Limaj: Vota jonë është sikur herën e kaluar

Kryetari i Nismës, Fatmir Limaj, tha se votat e partisë së tij do të jenë të njëjtat edhe sot sikurse në seancat e kaluara ku abstenoi për zgjedhjen e Albulena Haxhiut kryeparlamentare.

“Unë nuk kam parë ndonjë lëvizje për të pritur diçka më ndryshe se seancat e kaluara. Si duket do të jetë e njëjta gjë. Ky është realiteti i sotëm. Vota jonë është sikur herën e kaluar është një votë që është në përputhje me kushtetutën dhe ligjet dhe kështu do të jetë”.

Ai tha se zgjidhja është që partia e parë duhet t’i bëjë përpjekjet e mundshme për të ndërtuar një shumicë, një koalicion që e zgjedh edhe kryeparlamentarin edhe qeverinë.

“Duhet ta kuptoni që formimi i institucioneve gjithmonë ka marrë kohën e vet. Me marrëveshje politike është e vetmja rrugë që përmes marrëveshjeve politike që do të zgjedhë edhe kryeparlamentarin edhe qeverinë”.

“Por nëse s’ka zgjidhje dhe zgjidhje tjetër janë zgjedhjet, në çdo drejtim jemi këtu për të dhënë kontributin tonë”, u shpreh ai.


Haziri: Është bë situatë e neveritshme

Deputeti i LDK-së, Lufti Haziri e ka cilësuar si situatë të neveritshme gjithë këtë që po nodh me procesin e konstiutimit të Kuvendit të Kosovës.

Sipas tij partia që ka fituar zgjedhjet në këtë rast Vetëvendosje ka të drejtë ta propozojë kryetarin e Kuvendit por jo edhe ta imponjojë votimin e tij.

“Është bë situatë e neveritshme me ju thanë të drejtën jo vetëm për ju, por edhe qytetarët, edhe për ne përfaqësuesit që s’po mujm me ushtru të drejtën tonë në tejkalimin e një situate, e drejta politike për të propozu nuk nuk do të thotë e drejtë absolute ose duhet të kërkohet një mundësi të ndërtohet një konsensus më i gjerë ose marrëveshja politike është e pritshme do duhej me ndodhë, kjo s’po ndodh. Seanca e parë ka qenë e nevojshme me i tejkalu krejt, e dyta është e tepërt, mos të flasim për seancën e tetë nuk po arrit më kostitu legjislativi i zgjedhur dhe kjo është problem serioz politik, dhe propozimi nuk është i mjaftueshëm, duhet me qenë i zgjedhur dhe me vetë faktin se s’po ka as përpjekje më të vogël me ndihmu që të zgjidhet zonja që është propozu tregon qartë që është vendim politik, nuk ka marrëveshje për Qeveri.”, Haziri./21Media


Haradinaj: Nëse propozojnë kandidat tjetër e votojmë

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se nuk kanë ndryshuar qëndrim sa i përket votimit të kandidates për kryetare të Kuvendit , Albulena Haxhiu.

Ai u shpreh se qëndrojnë prapa idesë së tyre për t’u propozuar një kandidat tjetër.

“ Për fat të keq nuk ka ndonjë ndryshim nga seancat e mëhershme, e sikurse e dini na kemi dhënë një zgjidhje, pra me propozu kandidat tjerë unifikues Nëse kjo ndodh, me siguri që sot do të votohet, pra nëse ndërrohet kandidati Nëse jo, po më duket se do të jemi në situatë të njëjtë.”, tha ai.

Derisa tregoi arsyen e mungesës në seancën e së dielës.

Personalisht jo, por zonja Time Kadrijaj, që është nënkryetare e Aleancës ka autorizim prej meje, prej Kryesisë, që të konsultohet me zotin Dehari, ai i cili po udhëheq me seancën. Ka edhe shumë emra tjerë, besoj ne i kemi cek këta dy zonjat, ashtu meqenëse ishte zonjë kandidatja po ka edhe emra tjerë Jo, jo, nuk është monotoni është e nder me ardhë në Kuvend, nder është edhe me i kry detyrat që i kemi, po ka qenë përvjetori i masakrës së Mejës edhe unë jam i asaj zone, shumica e atyre njerëzve janë edhe mos me thënë edhe familje, e kanë çuar rastin pastaj me qëndru edhe në përvjetor të luftëtarëve, në Prilep në Shaptejë, në Shkidian, martirëve, pra ishte një dita, dita e të pagjeturve dhe ajo më obligon.”, tha Haradinaj./21Media


Qalaj: PDK nuk ndryshon qëndrim, i mbetet LVV-së ta zhbllokojë situatën

Partia Demokratike e Kosovës ka ripërsëritur qëndrimin e tyre se nuk do ta votojnë Albulena Haxhiun për Kryetare të Kuvendit.

Kështu tha para seancës, deputeti i kësaj partie Rashit Qalaj.

“PDK ka bërë të qartë që nuk e voton zonjën Haxhiu për kryetare të Kuvendit të Kosovës, arsyet dihen dhe mendoj që nuk ka ndonjë ndryshim sot, dhe nuk do të ketë ndonjë ndryshim në një të ardhme të afërt. Mbetet koalicioni që ka siguruar më së shumti vota në parlamentin e Kosovës që të tentoj të zhbllokoj situatën duke marrë iniciativa të ndryshme edhe pse deri më sot nuk kam parë ndonjë lëvizje, mirëpo edhe njëherë po e përsërisë nuk do tektë votë për zonjën Haxhiu nga Partia Demokratike e Kosovës. “, tha ai./21Media


LDK nuk ndryshon qëndrim, Zemaj: Kurtit si duket i konvenon kjo situatë

Lidhja Demokratike e Kosovës  nuk ka ndryshuar qëndrim sa i përket votimit të kryetarit të Kuvendit të Kosovës.

Deputeti i kësaj partie para seancës së Kuvendit, Armend Zemaj tha se Albin Kurti po i konvenon kjo situatë.

“Ne kemi një heshtje nga kryeministri, si duket po i konvenon kjo situatë. Ka ditë që nuk ka një deklarim nga ana e tij, një barrikadim, është lojë politike e paaftësisë për të zgjedhur kryetarin e Kuvendit ose për të krijuar një shumicë për të bërë institucionet.”, tha ai,.

Derisa shtoi se mund të ketë tendencë të kamuflimit të datës së zgjedhjeve duke bashkuar me ato lokale, por sipas tij një gjë e tillë nuk do të lejohet pasi që do të ishte në dëm të Kosovës./21Media


Vetëvendosje nuk tërhiqet, sërish do ta propozojë Haxhiun për Kryetare të Kuvendit

Deputeti i Vetëvendosjes Hekuran Murati ka deklaruar se nuk do të tërhiqen nga vendimin për ndryshimin e emrit të Albulena Haxhiut për kryetare të Kuvendit.

“Propozimi ynë është Albulena Haxhiu”, ka thënë ai para mediave në hyrje të Kuvendit të Kosovës.

Derisa u ka bërë thirrje partive që ta votojnë

“Lus të gjitha partitë që me votën e tyre të marrin pjesë dhe të votojnë për konstituimin e Kuvendit. Ne në vazhdimësi kemi bërë thirrje në konstituim të kuvendit sepse konstituimi u takon të gjitha partive nuk është vetëm e një koalicioni qeverisës”, ka thënë ai


Vazhdon për të tetën herë tentimi për konstituimin e Kuvendit

Deputetët e zgjedhur do të mblidhen sot në vazhdimin e tetë të seancës për konstituimin e legjislativit të dalë nga zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit.

Vazhdimi i seancës nis në orën 10:00 dhe është caktuar nga kryesuesi Avni Dehari.

Rregullorja e Kuvendit të Kosovës parasheh që çdo ndërprerje e seancës konstituive nuk mund të zgjasë më shumë se 48 orë.
Në pesë tentime, Lëvizja Vetëvendosje dështoi të sigurojë votat për zgjedhjen e Albulena Haxhiut kryetare të re të Kuvendit.

Kuvendi konsiderohet i konstituuar vetëm pasi të jenë emëruar kryetari dhe nënkryetarët, për t’i hapur rrugë formimit të Qeverisë së re, për të cilën Albin Kurti nuk i ka votat e nevojshme.

Albulena Haxhiu shihet nga opozita figurë përçarëse, por Vetëvendosje këmbëngulë se ajo është kandidate meritore pasi është gruaja më e votuar në zgjedhjet e shkurtit. Në tentimet e deritanishme për t’u zgjedhur në krye të Kuvendit, ish-ministrja e Drejtësisë ka marrë 57 vota më së shumti.
PDK dhe AAK kanë thënë se partia e parë fituese duhet ta propozojë një kandidat tjetër të pranueshëm për kryetar Kuvendi, derisa LDK ka paralajmëruar se nuk do ta votojë asnjë kandidat të LVV-së për kryeparlamentar.

Partitë politike nuk kanë përjashtuar shkuarjen në zgjedhje të reja, por për një gjë të tillë, së pari, duhet të bëhet konstituimi i legjislaturës së nëntë, pas së cilës ajo do të shpërbëhej dhe presidentja e Kosovës do të caktonte datën për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme.

Vjosa Osmani ka potencuar se është e rëndësishme që sa më parë të konstituohet legjislatura e nëntë, teksa për çështjen e koalicioneve eventuale ka theksuar se është temë e partive politike dhe se ajo qëndron jashtë këtij diskutimi.

Në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit LVV ka fituar 48 mandate, PDK 24, LDK 20 dhe koalicioni AAK-NISMA 8 mandate.
Kujtojmë, në zgjedhjet 2011, KQZ-ja certifikoi rezultatet më 7 shkurt, ndërsa legjislacioni i atëhershëm u konstituua në seancën e parë konstituive më 21 shkurt. Në zgjedhjet 2014, certifikimi kishte ndodhur më 8 qershor, seanca e parë konstituive më 17 korrik, ndërsa legjislatura e asokohe u konstituua më 8 dhjetor.

Në zgjedhjet 2017, rezultatet u certifikuan më 8 korrik, seanca e parë konstituive u mbajt më 3 gusht, ndërsa legjislatura e atëhershme u konstituua më 7 shtator.
Dy vjet, më vonë, certifikimi i rezultateve u bë më 27 nëntor 2019, seanca e parë konstituive më 24 dhjetor, ndërsa legjislatura e atëhershme u konstituua dy ditë më vonë – më 26 dhjetor.

Në zgjedhjet e 2021-së, KQZ-ja certifikoi rezultatet më 13 mars, ndërsa 9 ditë më vonë – më 22 mars u mbajt seanca konstituive, ku edhe u konstituua legjislatura e tetë.

Back to top button