Kuvendi miraton ligjin për shtetësinë mes përplasjeve politike

Mes kundërshtimeve nga partitë opozitare Kuvendi i Kosovës ka miratuar ligjin për shtetësinë e Kosovës. Ky ligj mori gjithsej 69 vota për dhe 2 vota kundër.
Megjithatë kur në Kuvendin u diskutua për projektligjin për shtetësinë e Kosovës shqetësime për të ngriti deputetja e Partisë Demokratike e Kosovës, Ganimete Musliu, e cila tha se ky ligj është i dëmshëm për Kosovën dhe rrezikon sigurinë e brendshme të vendit.
Sipas saj, për deputetët e mazhorancës nuk vlen asnjë rregull tjetër përveç urdhrit të Dejona Aleksandër Mihalit.
“Iu bëjë thirrje juve para se të nënshkruani këtë ligj pasi siç duket meqë veç jeni ushtruese e detyrës së presidentes ju do ta keni fatin ta nënshkruani këtë ligj pas 8 dite, iu kisha lutur ta lexoni mirë dhe të merrni këshilla sepse ky ligj e rrezikon sigurinë e brendshme të Kosovës…është e qartë se këtu nuk vlen asnjë rregull tjetër përveç urdhrit të Dejona Aleksandër Mihali e pamë edhe pak më herët deputetët e mazhorancës nuk guxojnë ta ngrisin dorën për të votuar pa e parë me sy se aty shkruan që nuk është i propozuar nga opozita” ,tha ajo.
Më pas, kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu pati një replikë për atë që tha deputetja Musliu.
“Isha duke të dëgjuar shumë me vëmendje deputeten Musliu edhe po të mos e kishe përmendur këtë pjesën e fundit, natyrisht që do ta vlerësoja një qëndrim të tillë dhe do të kujdesesha që kur vjen në zyre që të kem parasysh këtë aspekt që e përmende, por e tregove qëllimin edhe nuk kam nevojë me u marrë me këtë çështje”, tha ajo.
Deputeti i LVV-së, Mufail Bajqinovci deklaroi se projektligji për shtetësinë e Kosovës ua mundëson mërgatës rikthimin e shtetësisë.
“Ky ligj ua mundëson mërgatës rikthimin e shtetësisë dhe pikërisht ky ligj lehtëson procedurat edhe për kthimin e fëmijëve të tyre pa marr parasysh se në cilin vend jeton“, tha ai.
Shefja e grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Jehona Lushaku Sadriu tha se nuk do të votojnë për aq kohë, siç u shpreh ajo, ky ligj nuk është i harmonizuar me legjislacionin e Bashkimit Evropian.
“Për ligje të tilla të cilat janë jetike për shtetin e Kosovës duhet të kemi posaçërisht kujdes që shkojmë me procedura të rregullta”, tha ai.
Edhe deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Albana Bytyqi ka shprehur kundërshtinë për miratimin e këtij projektligji.
“E kemi parë mënyrën se si ka ardhur në mënyrë të përshpejtuar dhe duke mos pasur kohë e as mundësi të shqyrtohet në mënyrë të rregullt ky ligj, ne nuk e shohim të arsyeshme që të mbështetet një ligj i tillë”, deklaroi ajo.
Përndryshe, ishin 71 deputetë kanë votuar për, asnjë kundër, asnjë abstenim për Ligji për banim social dhe të përballueshëm.
Në seancë e sotme plenare, me 65 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, është miratuar Ligji për kontabilitet, raportim financiar dhe auditim dhe rekomandimet e komisioneve të përhershme.
Në këtë projektligj janë propozuar shtatë amendamente nga komisioni funksional, të cilat po ashtu janë votuar në këtë seancë secila veç e veç.
Organi më i lartë legjislativ ka miratuar me 68 vota edhe Ligjin për Shërbimet e Pagesave.
E derisa ky projektligj u hodh në votim në mungesë të deputetëve në sallë është dashur dy herë të vendoset për votim. Për këtë pati kritika nga ana e kryetares së Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu.
“Unë po më duket se ua tërhoqa vërejtjen pak më herët por po duket se nuk ka ndonjë reflektim nëse edhe njëherë nuk ka kuorum për projektligje unë nuk e vendosi për herën e dytë. Iu lutem të qëndroni në sallë dhe të votoni” ,tha ajo.
Me 68 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim Kuvendi i Kosovës sot e ka votuar në lexim të dytë edhe ligjin për Financimin e Menaxhimit të Resurseve Ujore.
Në seancën e sotme është miratuar edhe Ligji për Lëndët Plasëse me 72 vota për.
Në seancën e sotme Kuvendi i Kosovës me 66 vota për ka miratuarLigji për Provimin e Maturës Shtetërore./RTV21/21Media