Kuvendi në bllokadë, ekonomia në rënie

Bllokada institucionale konsiderohet të ketë futur vendin jo vetëm në një kolaps politik por edhe ekonomik. Kështu vlerëson analisti politik Blerim Canaj, sipas së cilit e gjithë kjo po ndikon edhe në përgjegjësitë që ka Kosova në raport me faktorin ndërkombëtar.
“Ne jemi në një kolaps politik apo shtetërorë sepse momentalisht sa muaj u bënë që nuk kemi as parlament por as qeveri. Faktikisht ne e kemi një qeveri të uzurpuar. Ne i kemi disa përgjegjësi në raport me botën e jashtme dhe kjo pastaj ka quar në atë që për shkak të sanksioneve kosova nuk po arrin që t’i thith fondet që i ka orientuar BE-ja, rrjedhimisht kjo po ndikon në ekonominë e Kosovës”, tha Canaj.
Dëmi më i madh i ngërçit institucional, sipas kryetarit të Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, është në bllokimin e Planit të Rritjes të Bashkimit Evropian, nga i cili plan kosova ende nuk ka përfituar asnjë cent.
“Ngërci institucional ka ndikuar negativisht në ekonominë e Kosovës. Nëse e shohim që vetëm në Kuvendin e Kosovës i kemi mbi 900 milionë nga marrëveshje që nuk kanë arritur të ratifikohen e të implementohen në projekte konkrete kapitale qe do të ndikonin për të mirë në jetën e qytetarëve. Kjo bllokadë bëri që të mos merren fondet nga plani i rritjes, ku vendet që na rrethojnë tani e kanë marrë këstin e dytë ndërsa ne ende jemi në fazën e para financimit”, tha Rafuna për rtv21.
Legjislativi në pauzë, sipas ish ministrit të Financave Haki Shatri i ka sjellë Kosovës ngecje edhe në realizimin e projekteve kapitale.
“Qeveria është ajo që ka obligim dhe kompetencë me u marrë me politika ekonomike, zhvillimore. Në këto kushte kjo qeveri s’ka kompetencë për me ndërmarrë kurgjo. Kemi ngecje në realizimin e projekteve kapitale, sipas raportit 6 mujor vetëm 230 milionë janë realizu nga 900 milionë të parapame. Ka shku gjysa e vitit buxhetor dhe vec 26% është realizu. Kjo dmth që deri në fund të vitit as gjysma e vitit s’mund të realizohet për investime kapitale”, tha Shatri.
Njohës të fushës vlerësojnë se nga kjo krizë politike, pasojat janë duke goditur gjithnjë e më shumë qytetarët, të cilët po përballen me ngritje çmimesh të produkteve bazë të konsumit. Ndër të tjera edhe bizneset po orientojnë jashtë kufijve veprimtarinë e tyre./RTV21/21Media
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?