Opozita kundër Projektligjit për KPK-në, Haxhiu i akuzon se po pengojnë reformën në drejtësi

(Lajm i përditësuar)
Projektligji për Këshillin Prokurorial të Kosovës, ka përplasur ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu me deputetët e partive opozitarë, në seancën e sotme të Kuvendit.
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, tha se përmes këtij projektligji synojnë reformën e Këshillit Prokurial.
“Nevojën për reformimin e Këshillit Prokurorial dhe veçanërisht balancimin e përbërjes mes anëtarëve prokuror dhe atyre jo prokuror të cilin e përmenda më herët. Përbërja e propozuar prej shtatë anëtarëve në Këshillin Prokurorial është validuar nga Komisioni i Venecias pasi është vlerësuar të jetë në përputhje me standardet ndërkombëtare”, tha ajo.
Mirëpo, ky projektligj u kundërshtua nga deputeti i PDK-së, Hajdar Beqa. Ai tha se i njëjti është antikushtetues dhe se sërish do të rrëzohet nga Gjykata Kushtetuese.
“Me tërheq këtë ligj dhe me bërë një ligj që është në harmonizim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës me vetmin qëllim që mos të bëni populizëm dhe mos t’ia merrni kohën parlamentin. Nëse vazhdoni me këtë formë që është propozuar dhe është e pamundshme që të gjitha ato vërejte që i ka dhënë Komisioni i Venecias t’i përfshijmë në këtë fazë, në mes dy leximeve. Unë mendoj se prapë ligji i këshillit Prokurorial do të ketë fatin edhe të propozimeve të tjera paraprakisht. Nxitimi i juaj dhe moskonsultimi me akterët na ka pruar në këtë situatë”, tha ai.
Kritika adresoi edhe deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj, i cili kërkoi kthimin prapa të këtij projektligji në ministri.
“Jemi duke iu treguar (Komisionit të Venecias) se ne nuk jemi duke ditur me shkrua ligje, jo me quajt këtë ministre të Drejtësisë, por ministre të padrejtësisë….Po doni me kap Këshillin prokurorial, por mos se kjo punë nuk shkon kështu. Kjo është e turpshme çka po ndodh. Me na sjell neve deputetëve këso dokumente është monstrum për vendin. Ky dokument e ka vetëm një shpëtim, hiqe ministre, qoje në ministri pasi kjo nuk është qasje. Kjo nuk përmirësohet, kot është”, theksoi Selmanaj.
Ndërkaq, shefi i deputetëve të AAK-së, Besnik Tahiri, tha se përmes këtij projektligji po synohet politizimi i Këshillit Prokurorial.
“Të gjithë ne po e shohim se na ka humbur busulla, orientimi dhe sensi i mendimit racional për me bërë reforma dhe intervenime të cilat duhet të ndodhin në sistemin e drejtësisë. Nëse ju mendoni se rritja e numrit të një menaxhimi korporatave është përgjigja në reformën e sundimit të drejtësisë, unë ju them se kjo është vetëm një barrë më e madhe dhe një tendencë për politizim”, tha ai.
Megjithatë, ministrja Haxhiu, akuzoi opozitën se përmes Gjykatës Kushtetuese po i pengojnë reformat në drejtësi.
“Ju e keni shfrytëzuar Gjykatën Kushtetuese për të penguar jetësimin e reformës në drejtësi. Unë tash kur shkoj në tubime për zgjedhjet e ardhshme, kur më pyesin qytetarët, për besë unë nuk mundem me gënjyer. Unë iu them se opozita e ka bllokuar”, theksoi ajo
S’ka kuorum, shtyhet sërish votimi i marrëveshjeve ndërkombëtare
Në mungesë të deputetëve është shtyrë sërish votimi i marrëveshjeve ndërkombëtare. Pas rikthimit nga pauza të Kuvendit, një pjesë e madhe e deputetëve nuk ishin në sallën plenare, duke bërë që kryeparlamentari Glauk Konjufca të shtyjë për seancën e radhës votimin e nëntë marrëveshjeve ndërkombëtare, që ishin në rend të ditës në seancën e sotme.
Këto ishin marrëveshjet ndërkombëtare që ishin në rend të ditës:
3. Votimi i Projektligjit nr.08/L-234 për ratifikimin e Marrëveshjes së kredisë për programin e financave publike dhe rritjes ekonomike ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Fondit OPEC për Zhvillim Ndërkombëtar,
4. Votimi i Projektligjit nr.08/L-236 për ratifikimin e Traktatit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Danimarkës për shfrytëzimin e institucionit korrektues në Gjilan me qëllim të ekzekutimit të dënimeve daneze,
5. Votimi i Projektligjit nr.08/L-253 për Aderimin e Republikës së Kosovës në Konventën për Importin e Përkohshëm,
6. Votimi i Projektligjit nr.08/L-254 për ratifikimin e Marrëveshjes ndërkombëtare ndërmjet Kosovës nga njëra anë dhe Bashkimit Evropian nga ana tjetër për pjesëmarrjen e Kosovës në Programin e bashkimit programi i tregut të vetëm,
7. Votimi i Projektligjit nr. 08/L-259 për Ratifikimin e Marrëveshjes së Financimit ndërmjet Republikës së Kosovës, e përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim për projektin “Projekti për forcimin e qeverisjes digjitale për ofrimin e shërbimeve”,
8. Votimi i Projektligjit nr.08/L-263 për ratifikimin e Marrëveshjes për sigurime sociale ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Holandës,
10. Votimi i Projektligjit nr.08/L-273 për ratifikimin e Marrëveshjes së financimit në mes të Republikës së Kosovës, përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), dhe KFË, Frankfurt Am Main, për Programin e energjisë solare I (solar4kosovo I) Fotovoltaik,
11. Votimi i Projektligjit nr.08/L-281 për ratifikimin e Marrëveshjes ndërkombëtare, për pjesëmarrjen e Kosovës në programin e Bashkimit Evropian “Evropa digjitale për periudhën 2021-2027” ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian.
Kuvendi nuk arrin të votojë amendamentet kushtetuese për vettingun
Kuvendi nuk ka arritur të votojë amendamentet kushtetuese për vettingun. Në sallën plenare kanë qenë të pranishëm 87 deputetë, tetë prej tyre nga komunitetet joshumicë, për çka kërkohet të jenë prezent 14 deputetë për ndryshime kushtetuese. Gjatë prezantimit të amendamenteve kushtetuese për vettingun, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu deklaroi se ka tendencë të vazhdueshme për të penguar reformën në drejtësi. Partitë opozitare kanë qenë pro këtyre ndryshimeve, veçse kanë theksuar se një gjë e tillë është e pamundur të bëhet pa Listën Serbe.
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu u shpreh se amendamentet kushtetuese për vettingun në sistemin e drejtësisë janë një ndër reformat më të rëndësishme. Tutje, tha se ky është çelësi që Kosova të jetë shtet i së drejtës dhe kushti që në sistemin e drejtësisë të ketë prokurorë me integritet të lartë.
Ajo shtoi se është e rëndësishme që në aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese validohet kontrolli i integritetit si koncept që duhet të ekzistojë në Kosovë.
Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Kujtim Shala tha se në dhjetor është formuar komisioni ad-hoc për zhvillimin e procesit të vlerësimit kalimtar.
Kryetari i Komisionit për Legjislacion, Adnan Rrustemi kërkoi nga deputetët që të votojnë këto ndryshime kushtetuese.
E shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri u shpreh se në mungesë të Listës Serbe nuk mund të procedohet me votimin e këtyre amendamenteve kushtetuese.
Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi tha se propozimi i tyre është që të ketë një sistem efikas të drejtësisë, ku shtoi se edukimi politik i mazhorancës aktuale është i limituar.
Edhe deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj tha se përkrahin këto amendamente kushtetuese për vettingun.
Çdo ndryshim kushtetues kërkon miratimin e 2/3 të gjithë deputetëve të Kuvendit të Kosovës dhe 2/3 e vendeve të rezervuara për komunitete.
Ai ka thënë se ka pasur një konsensus politik në Komision për zhvillimin e Procesit të vlerësimit kalimtar ose vettingut.
Sot Kuvendi i Kosovës do të mbajë dy seanca plenare.
Në një se seancë plenare të veçantë, e cila është paraparë të nisë në orën 10:00 deputetët do të shqyrtojnë tri propozim-amendamenteve Kushtetuese.
Ndërkohë që në seancën plenare e cila është paraparë të nisë në orën 10:30 deputetët para vetes do të kenë votimin e disa marrëveshjeve ndërkombëtare, miratimin e të cilave nuk mund ta bëjnë pa pjesëmarrjen në votim të deputetëve të Partisë Demokratike dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, e të cilët janë duke e bojkotuar vendimin në disa seacna me radhë.