Kuvendi nuk ka kuorum për votimin e dy projektligjeve

(Lajm i përditësuar)

Në Kuvendin e Kosovës sot nuk pari kuorum për t’u votuar amandamentet e dy projektligjeve.

Sot nuk u votuan “Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që kanë të bëjnë me racionalizimin dhe vendosjen e vijave llogaridhënëse të Agjencive Ekzekutive”, si dhe Projektligjit për Prokurorin e Shtetit.

Kryetari i Kuvendi të Kosovës, Glauk Konjufca, ka thënë se nuk ka numër të mjaftueshëm të deputetëve për të votuar këto projektligje.

Kuvendi mban një minutë heshtje për dëshmorët e Betejës së Istogut

Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë mbajtur një minutë heshtje për tetë të rinj të cilët ranë dëshmorë 24 vjet më parë.

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Bekë Berisha ka kërkuar nga deputetët që të nderojnë të rinjtë e betejës së Istogut.

“Dje nuk u mbajt seancë dhe e kam një kërkesë, dje 24 vjet më parë, tetë djem të rinj ranë dëshmorë në betejën në Istog. Ju ftoj për një minutë heshtje”, ka kërkuar Berisha.

Haradinaj kërkon shtyrjen e zgjedhjeve në veri

Kryetari i AAK, Ramush Haradinaj në seancën e Kuvendit që po mbahet ka kërkuar që zgjedhjet në katër komunat veriore, të cilat është paraparë të mbahen më 23 prill, të shtyhen.

Sipas tij kjo temë duhet të trajtohet me seriozitet nga institucionet e vendit.

“Ne duhet të kemi guxim politik t’i trajtojmë temat në të vërtetën e vet, së paku të mos fshihemi nga temat që vendi i ka përpara. Nuk mendoj që do të fitojë shteti nëse heshtim nga gjendja në veriun e Kosovës. Procesi për të mbajtur zgjedhje tash ën veri nuk është i qëndrueshëm. Pse jemi në këtë gjendje e dimë agjendën e Serbisë dhe të Listës Serbe. Por a e dimë ne dhe Qeveria rrugën deri te suksesi. Me sa shoh unë me informatat që kam gjenda e sotme nuk na dërgon tek suksesi, procesi zgjedhor nuk na qon te suksesi”, ka theksuar Haradinaj.

Selimi: Prokuroria të zbardhë shkeljet që kanë çuar në fryrjen e listës së veteranëve

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Shqipe Selimi, ka kërkuar nga Prokuroria që sa më parë të kthehet arkiva në Zyrën për Çështjet e Kategorive të Dala nga Lufta. Në seancën plenare ajo ka thënë se veteranët dhe invalidët nuk po kanë mundësi të pajisen me dokumente. Sipas saj, duhet zbardhur edhe fryrja së listës së veteranëve.

Deputetja Selimi, në emër të bashkëluftëtarëve, ka ngritur çështjen e hetimit të kësaj liste dhe vështirësive me të cilat po përballen veteranët.

“Në vitin 2018 prokuroria kishte ngritur aktakuzë mbi 900 faqe për 12 zyrtarë, siç ishte publikuar në atë botë. Jemi pra shtatë vjet nga fillimi i hetimeve, e pesë vjet nga ngritja e aktakuzës. Shumë akuza janë shkëmbyer mes vete, midis prokurorëve për këtë rast dhe i njëjti ende nuk ka marrë epilog. Me qëllim të hetimit të listave të veteranëve, konfiskoi gjithë arkivin e zyrës së veteranëve, pranë Zyrës së Kryeministrit. Si pasojë nga ajo kohë e deri më sot, veteranët duke përfshirë edhe invalidët e luftës, nuk kanë mundësi të pajisjen me dokumentet, vërtetimet apo certifikatat për të cilat ata kanë nevoja të shumta”, ka thënë ajo.

Selimi tha se një veteran në mungesë të një dokumenti të thjeshtë, nuk mund të gëzojë të drejtat e tij që i takojnë me ligj.

“Sa vite i duhen Prokurorisë për ta bërë një hetim të tillë? I bëjmë thirrje asaj që sa më shpejt, Zyrës për Çështje të Kategorive të Dala nga Lufta t’i vihet në dispozicion arkiva e saj. Në ndërkohë i bëjmë thirrje që Prokuroria të kryejë punën e vet në zbardhjen e cilës do shkelje apo çështje që ka çuar në fryrjen e listës së veteranëve. Mund të ketë veteran të cilët kanë aplikuar për tu pajisur me një vërtetim të thjeshtë, e që në pritje të këtij dokumenti, ai ose ajo mund të mos jetë gjallë sot. Hetimi ndaj shkelësve të ligjit është shumë i domosdoshëm, por kjo nuk do të duhej t’i penalizonte veteranët e vërtetë në ushtrimin e të drejtës së tyre për tu pajisur me dokumentet e nevojshme”, ka shtuar ajo.

Haxhiu: Po bëhen dy muaj prej se Trusti është pa bord

Në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës në rend të ditës janë shtatë pika dhe më e rëndësishmja është pika e katërt pasi bëhet fjalë për shqyrtimin e dytë të projektligjit  për prokurorin e shtetit.

Deputeti nga PDK-ja Bekim Haxhiu, ka thënë se po bëhen dy muaj prej se Trusti është pa bord.

“Po bëhen gati dy muaj që trusti është pa bord. Kjo mazhorancë e papërgjegjshme në dy raste e rrëzoi projektligjin për Trustin”.

Kuvendi sot mban seancë plenare

Deputetët e Kuvendit të Kosovës pritet të mblidhen sot në seancë plenare.

Mbledhja e Kuvendit është paralajmëruar të nisë nga ora 10:00.

Rendi i ditës:

1. Deklarimet jashtë rendit të ditës,

2. Pyetjet parlamentare,

3. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr. 08/L – 123 për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që kanë të bëjnë me racionalizimin dhe vendosjen e vijave llogaridhënëse të Agjencive Ekzekutive,

4. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr. 08/L-167 për Prokurorin e Shtetit

5. Shqyrtimi i rekomandimeve lidhur me Raportin e auditimit të teknologjisë së informacionit “Sistemi për Menaxhimin e Pagave”,

6. Shqyrtimi i rekomandimeve lidhur me Raportin e auditimit: “Funksionimi i sistemit të Grantit të Performancës Komunale dhe menaxhimi i projekteve të financuara nga Donatorët për vitin 2021”,

7. Propozimi i GP të LVV për zëvendësimin e anëtarëve në komisionet parlamentare.

Ndryshe, dje në mungesë të kuorumit ka dështuar të mbahet mbledhja e seancës plenare me pikat epapërfunduara nga seancat e kaluara.

Back to top button