Kuvendi nuk konstituohet as për të 33–tën herë

(Lajm i përditësuar)



Rashiq: Nuk ndihemi komod që nuk kemi rezultat

Deputeti i legjislaturës së nëntë,  para tentimit të 33’të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës tha se deputetët nuk ndihen komod me situatën aktuale dhe ngërçin politik të krijuar.

Rashiq tha se duhet të ketë bashkëpunim mes partive politike për formimin e institucioneve stabile, transmeton KosovaPress.

“Administrata e ShBA çdoherë ka pasur rol të veçantë për Kosovë. Roli i Amerikës është me rëndësi. Normalisht na duhet një stimulim nga ambasada amerikane, por megjithatë ne jemi ata që duhet të vendosim.

Kam thënë edhe më herët që ne po vijmë dhe nuk po bëjmë asgjë. Nuk ndihemi askush komod që nuk po kemi rezultate. Çdo parti politike po i përmend institucionet stabile, por nuk po veprojnë në atë mënyrë”, tha Rashiq.


Çitaku: Kosova vazhdon të jetë e bllokuar, është momenti i fundit që VV të reflektojë

Pas dështimit të radhës për mbajtjen e seancës së Kuvendit, sekretarja e PDK-së, Vlora Çitaku, reagoi ashpër ndaj Lëvizjes Vetëvendosje, duke e akuzuar për bllokim dhe papërgjegjësi institucionale.

Sipas saj është momenti i fundit që VV të reflektojë.

“Është momenti i fundit që VV të reflektojë. Kosova nuk guxon të sillet me këtë lloj indiference. Ajo është më e madhe se egoja e tyre,” deklaroi Çitaku.

Ajo shtoi se në këtë seancë ishte paraparë shkarkimi i Bordit të ZRrE-së, të cilin e cilësoi si të instrumentalizuar dhe të paaftë për të mbrojtur interesat e qytetarëve.

“Kosova vazhdon të jetë e bllokuar. Është momenti i fundit që VV të reflektojë. Kosova nuk guxon të sillet me këtë lloj indiference dhe papërgjegjësie. Kosova është më e madhe sesa egoja. Ne, në këtë seancë, do të ishim mbledhur për të shkarkuar Bordin e ZRrE-së, i cili është i instrumentalizuar dhe nuk po i mbron më të drejtat e qytetarëve. Është e papërgjegjshme mënyra se si VV i trajton të gjithë ata që mendojnë ndryshe nga ta. Është për keqardhje,” shtoi ajo.


Balje: Bojkotimi s’është zgjidhja e duhur

Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e komunitetit boshnjak, Duda Balje ka thënë se nuk e sheh si mënyrë të duhur bojkotimin e institucioneve, në përsëritjen çdo 48 orë të seancës konstituive tash e dy muaj.

Ajo tha që duhet gjetur një zgjidhje, por bojkotimi s’është mënyra e duhur.

“Nuk e shoh si mënyrë të mirë bojkotimin e institucioneve. Ne duhet me gjet një zgjidhje. Mënyra për ta bojkotuar nuk është”, tha Balje.


Haziri: Agjenda e Shtëpisë së Bardhë në tavolinë, nuk guxojmë ta vonojmë

Deputeti i LDK-së, Lutfi Haziri ka thënë se nuk duhet të lejohet vonimi i trajtimit të agjendës për Kosovën nga Shtëpia e Bardhë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“Agjenda e Shtëpisë së Bardhë është duke pritur në tavolinë qe disa vite. Nuk guxojmë të lejojmë të vonohet”, ka thënë ai, pas dështimit të 33-të të konstituimit të Kuvendit të Kosovës.

“Në mes të Kuvendit dhe zgjedhjeve lokale, disa parti, në këtë rast partia e parë ka vendosur të fokusohet në diçka krejt tjetër. Do të duhej të ndërtohej një konsensus më i gjerë rreth projektit të LDK-së për një qeveri të përbashkët”, ka thënë ai të martën para mediave.


Murati pret reflektim për konstituim nga partitë opozitare

Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati para fillimit të seancës tha se deputetët e opozitës duhet të votojnë dhe se ata janë të obliguar ta bëjnë këtë.

“Kushtetuta, interpretimi i Gjykatës Kushtetute ka thënë se deputetët  në seancën konstituive duhet të votojnë, janë të obliguar të votojnë. Vullneti i tyre i lirë është që të zgjedhin qysh të votojnë, për, kundër apo abstenim, por  duhet të votojnë. Tash kemi mbi 20 herë, mbi 20 seanca që deputetët e opozitës vijnë por nuk votojnë, nuk e ushtrojnë obligimin e tyre kushtetues”, tha Murati të martën para mediave.


Limaj: Kjo që po ndodh është skandaloze

Kryetari i Nismës, Fatmir Limaj, e ka quajtur skandaloze situatën aktuale politike në Kosovë, derisa iu bëri thirrje partive që të mblidhen të darkordohen për themelim të institucioneve.

Ai ka thënë para mediave të martën se liderët e partive duhet të përmbushin vullnetin e qytetarëve dhe t’i lënë egot e tyre. Limaj foli edhe për situatën në botë, ku tha se një shtet serioz “i përcjell zhvillimet”.

“Duhet së më parë të kemi institucione që Kosova të jetë partner i besueshëm për të dhënë përgjigje dhe si adresë për bashkëpunim në tema të ndryshme. Besoj se asgjë e re s’ka ndodhur, as atëherë e tash, s’i kuptojnë drejt mesazhet çka po ndodh në botë. Një shtet serioz i përcjell zhvillimet…Kjo është skandaloze çka po ndodh”, ka thënë Limaj.

Kreu i Nismës shtoi se qytetarët duhet të reflektojnë “dhe t’i ndëshkojnë të papërgjshmit”. Ai ka thënë se nëse partia e tij do të kishte më tepër deputetë, do ta zgjidhte situatën.


Kuvendi nuk konstituohet as për të 33–tën herë

Kuvendi i Kosovës as për tentimit e 33-të nuk ka arritur të konstituohet.

Kryesuesi i seancës, Avni Dehari e nisi seancën me kërkesën për emra të komisionit, gjë që nuk iu dhanë nga PDK, LDK, AAK, e më pas u hedh në votim i komisioni i cili mori vetëm 51 vota për, një kundër e asnjë abstenim.

Të gjitha vazhdimet e deritanishme të seancës konstituive kanë dështuar, pasi Lëvizja Vetëvendosje, Guxo e Alternativa nuk kanë arritur të sigurojnë votat e mjaftueshme për zgjedhjen e kryetarit të ri të Kuvendit.

Albulena Haxhiu gjashtë herë ka dështuar për kryeparlamentare, direkt me vota të hapura, dhe më shumë se njëzet herë ka dështuar formimi i komisionit për mbikëqyrjen e procesit të fshehtë të votimit, të cilin po e kundërshtojnë Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe NISMA.

Grupi parlamentar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës ka dorëzuar për interpretim në Kushtetuese mënyrën e fshehtë të votimit për kryetar nga Lëvizja Vetëvendosje, Guxo e Alternativa.

Vazhdimi i seancës konstituive duhet të mbahet çdo dyzetetetë orë derisa të konfirmohet përbërja e re e Kuvendit.

Thirrje për zhbllokim të situatës ka në vazhdimësi, brenda dhe jashtë Kosovës.

Seanca e radhës do të mbahet më 19 qershor në ora 10:00.


Live: Filloi seanca e 33-të për konstituimin e Kuvendit

Ka nisur seanca e 32-të me radhë për konstituimin e Kuvendit.

Kjo seancë është duke u drejtuar nga deputeti më i vjetër në moshë, Avni Dehari dhe deputetja më re në moshë, Sala Jashari. /21Media

Izmaku: Duket që ka humbur interesimi i shumicës së deputetëve për të qenë prezent në sallë

Deputetja e Nismës, Xhevahire Izmaku për RTV21 lidhur me tentimin e 33-të për konstituimin e Kuvendit ajo tha se Nisma pret që do të ketë zhvillim lidhur me këtë çështje.

Sipas saj interesimi i shumicës së deputetëve ka rënë për të qenë prezent në sallë.

“Presim që ka me pasë një zhvillim ose së paku një numër më të madh të deputetësh dhe fillimisht me pasë një numër të deputetëve sepse duket që ka humbur edhe interesimi i shumicës së deputetëve dhe me qenë edhe prezent në sallë”, deklaroi Izmaku. /21Media


Rexhaj: Është një lloj i dezinformimit kur thuhet se po dështon seanca sepse nuk po votohet kryetarja

Deputeti i LVV-së, Arbër Rexhaj për RTV21 para nisjes së seancës së 33-të për konstituim për opozitën tha se ata se një komision që sipas tij do të duhej në mënyrë normale ta përcaktonte pastaj votën për kryetaren e Kuvendit.

Ai vlerëson se dështimi i seancave është një lloj i dezinformimi “kur thuhet se po dështon seanca sepse nuk po votohet kryetarja”.

“Tashmë ne po e votojmë një komision rrjedhimisht nuk është në votim kryetarja e Kuvendit mirëpo këta nuk po e votojnë as pra një komision që do të duhej në mënyrë normale ta përcaktonte pastaj votën për kryetaren e Kuvendit dhe pastaj mendoj që është një lloj i dezinformimit kur thuhet se po dështon seanca sepse nuk po votohet kryetarja”, tha Rexhaj. /21Media


Sot përpjekja e 33-të për konstituim të Kuvendit

Sot për herë të 33-të, deputetët do të tentojnë të konstituojnë Kuvendin e Kosovës. Deri tani, në seanca që nuk kanë zgjatur më shumë se 2-3 minuta, nuk ka pasur vota të mjaftueshme për formimin e Komisionit për votim të fshehtë, i cili do të mundësonte votimin e Albulena Haxhiut për kryetare të Kuvendit.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, sërish ka akuzuar deputetët e partive të tjera për bojkotimin e votimit dhe pengimin e konstituimit të Kuvendit të Kosovës. Gjatë vazhdimit të angazhimeve si kryetar i ekzekutivit, ai deklaroi se deputetët po bëjnë shkelje kushtetuese duke mos marrë pjesë në votim, me referencë te bojkotimi i votimit të fshehtë për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit.

“Unë çdo herë shkoj për ta konstituuar Kuvendin. Ata që vijnë, por bojkotojnë duke mos votuar, nuk e di pse vijnë. Sipas bindjes sime, pjesëmarrja në seanca dhe bojkotimi i votimit është sjellje e papërgjegjshme politikisht dhe shkelje e Kushtetutës juridikisht,” tha ai.

Por Kurti është akuzuar vetë për një shkelje të tillë, pasi është betuar si deputet dhe njëkohësisht vazhdon të marrë vendime nga zyra e kryeministrit. Sipas Ligjit për Qeverinë, njohës të fushës kanë theksuar se ai nuk mund të mbajë të dyja postet njëkohësisht.

Nga Lidhja Demokratike e Kosovës kanë reaguar përsëri. Deputetja e LDK-së Jehona Lushaku-Sadriu deklaroi se Kurti e ka uzurpuar Zyrën e Kryeministrit pa pasur shumicë parlamentare dhe jashtë çdo norme kushtetuese.

“Albin Kurti sot ka guxuar të flasë për shkelje të Kushtetutës, ndërkohë që vetë e ka uzurpuar Zyrën e Kryeministrit, pa pasur shumicë parlamentare dhe jashtë çdo norme kushtetuese. Ai e quan mosbindjen e deputetëve ndaj vullnetit të tij personal ‘shkelje të Kushtetutës’?! Kjo është logjika e një njeriu që e sheh veten mbi ligjin dhe mbi Kushtetutën,” ka shkruar ajo.

Megjithatë, Kurti me vendosmëri pohoi se do të vazhdojë detyrën e tij si kryeministër në detyrë, deri në zgjedhjen e qeverisë së re.

Formimi i kësaj qeverie duket i pamundur në këtë situatë të thelluar të përçarjes ndërpartiake, pasi Vetëvendosje nuk e ka shumicën e nevojshme për ta zgjedhur kandidaten e saj, Albulena Haxhiun, kryetare të legjislaturës së nëntë.

Back to top button