Kuvendi të enjten diskuton për raportin e DASh-it

Të enjten do të mbahet seancë plenare ku do të diskutohet rreth gjetjeve të raportit të Departamentit Amerikan të Shtetit. Paraprakisht do të mbahet edhe një seancë solemne për 25-vjetorin e rënies heroike të komandantit, Ilaz Kodra. Kështu u vendos në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit, ku u bë e ditur se në rend dite do të jetë edhe votimi i marrëveshjeve ndërkombëtare.
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja tha se këto marrëveshje po bllokohen nga opozita.
“Të gjitha këto marrëveshje ndërkombëtare kapin shifrën drejtpërdrejt prej 390 milionë euro dhe mjerisht për shkak të mos pjesëmarrjes së opozitës, me theks të veçantë të një partie opozitare dhe mos përkushtimit të partive opozitare, këto mbeten të bllokuara. Asnjë prej këtyre marrëveshjeve ndërkombëtare nuk ka asgjë kontestimore ose përmbajtësisht ose politikisht diçka që kontestohen, mjerisht këto 390 milionë mbeten për shkak të tekeve individuale politike”, deklaroi Muja pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit.
Ndërkaq, deputetja e PDK-së tha se të enjten do të mbahet seancë edhe për 25-vjetorin e rënies së komandantit të UÇK-së, Ilaz Kodra.
“Në ditën e enjte, më 2 maj do të shënohet po ashtu një seancë solemne duke filluar nga ora 10:00 për të nderuar 25-vjetorin e rënies së komandantit të UÇK-së, Ilaz Kodra dhe të 315 dëshmorëve dhe martirëve të rënë në Drenicë, 25 vjet më parë. Kjo bëhet për të nderuar sakrificën sublime të UÇK-së dhe të rënëve. Pas seancës solemne që do të fillojë në orën 10:00, në orën 11:00 do të kemi seancën e rregullt kishim dakordim në kryesi që të mos kemi pyetje parlamentare dhe deklarime jashtë rendit të ditës por ashtu siç kemi kërkuar tash e sa kohë që të diskutohet raporti i DASh-it. Janë dy raporte ndërkombëtare kredibile të cilat e kanë goditur Qeverinë e Kosovës, e kanë goditur Kosovën, që flasin për një qeveri të korruptuar”, deklaroi ajo.
E shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi tha se Lëvizja Vetëvendosje po bllokon komisionet hetimore, për çka konsideroi se është i rëndësishëm debati parlamentar për raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit.
“Qeverisja e Albin Kurtit është një qeverisje që ka katër tendenca kryesore, tendenca e parë është kalimi i ligjeve antikushtetuese, të cilën ne e kemi bllokuar në vazhdimësi me mjete kushtetuese për ruajtur stabilitetin kushtetues dhe institucional të vendit. Tendenca e dytë ka qenë kapja e paligjshme dhe antikushtetuese të bordeve dhe agjencive. Dhe këtë kapje qeveria Kurti është treguar e zonja dhe e suksesshme, sepse shumica e institucioneve të pavarura sot janë të mbushura me militantë dhe familjarë të LVV-së. E treta ka qenë në vazhdimësi pengimi i vazhdueshëm i LVV-së që të kryhet një nga funksionet kryesore të kuvendit, e cila është mbikëqyrja parlamentare duke penguar në vazhdimësi punën mbikëqyrëse të komisioneve parlamentare”, u shpreh ai.
Sa i përket marrëveshjeve ndërkombëtare, Gashi tha se do të votojnë të njëjtat, përveç dy prej tyre. Sipas tij, problemi qëndron tek Lëvizja Vetëvendosje që nuk po arrin të mobilizojë deputetët e vet.
Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri tha se të enjten në seancë plenare do të debatohet për raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit.
“Në ketë ditë do të debatojmë për raportin e DASh-it, për gjetjet që kanë ndodhur dhe aty do të kemi një ballafaqim në mes të pozitës dhe opozitës. Ajo që mund të them është se seanca e radhës e të enjtes, fokusin kryesor do të ketë një raport. Raport ky i cili në esencë e godet për herë të parë dhe e targeton qeverinë si një institucion i cili ka probleme serioze me çështje të korrupsionit. Por edhe me çështje të tjera. Sa i përket AAK-së, ne në të njëjtën kohë presim dhe kërkojmë që kryeministri të jap llogari”, deklaroi Tahiri.