Parlamenti Evropian rekomandon t’i jepet Ukrainës statusi kandidat për në BE

Parlamenti Evropian miratoi një rezolutë të martën duke u bërë thirrje institucioneve të Bashkimit Evropian të punojnë për t’i dhënë Ukrainës statusin e vendit kandidat për në BE, thuhet në një deklaratë.
Rezoluta, e cila gjithashtu kërkonte që BE-ja të vendoste sanksione më të ashpra ndaj Rusisë, u votua pro nga 637 deputetë të Parlamentit Evropian (PE). Ai dënoi në termat më të fortë të mundshëm pushtimin e paligjshëm të Rusisë në Ukrainë dhe kërkon që Kremlini t’i japë fund të gjitha aktiviteteve ushtarake në vend, raporton CNN
Anëtarët theksuan gjithashtu se sanksionet financiare të BE-së kundër Rusisë duhet të shkojnë më tej, duke deklaruar se të gjitha bankat ruse duhet të bllokohen nga sistemi financiar evropian dhe Rusia duhet të ndalohet nga sistemi SWIFT, përcjellë rtv21.tv
“Ndërsa mirëpresin miratimin e shpejtë të sanksioneve të BE-së, eurodeputetët duan të shohin masa më të gjera kufizuese që synojnë dobësimin strategjik të ekonomisë ruse dhe bazës industriale. Në veçanti, importet e mallrave më të rëndësishme të eksportit rus, si nafta dhe gazi, duhet të kufizohen. Investimet e reja të BE-së në Rusi dhe investimet e reja ruse në BE duhet të ndalohen”, thuhet në njoftimin për media.
Ata gjithashtu u bënë thirrje vendeve të BE-së që t’i dërgojnë Ukrainës armët mbrojtëse më shpejt, në përputhje me nenin 51 të Kartës së OKB-së, i cili lejon vetëmbrojtje individuale dhe kolektive.
Më në fund, të gjitha sanksionet që synojnë individët përgjegjës për korrupsionin e nivelit të lartë në Rusi dhe Bjellorusi, duke përfshirë oligarkët dhe zyrtarët, duhet të miratohen me shpejtësi, thuhet tutje në njoftim./21Media
 

Back to top button