Lajçak pas takimit me Petkoviqin, paralajmëron një takim të ardhshëm në Bruksel

(Lajm i përditësuar)
Lajçak pas takimit me Petkoviqin, paralajmëron një takim të ardhshëm në Bruksel
Emisari Special i Bashkimit Evropian në dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak gjatë vizitës së zhvilluar të hënën në Beograd është takuar me kryenegociatorin serb Petar Petkoviq.
Lajçaku ka thënë se në takimin me Petkoviqin është diskutuar për një sërë dosjesh konkrete të dialogut.
Ai ka shtuar se kanë biseduar edhe për një takim të ardhshëm të kryenegociatorëve në Bruksel.
“Patëm një diskutim të thellë me kryenegociatorin e Serbisë, Petar Petkoviq, rreth një sërë dosjesh konkrete të Dialogut. Folëm edhe për perspektivat e një takimi të ardhshëm të kryenegociatorëve në Bruksel”, ka shkruar ai.
Lajçak deklarohet pas takimit me Vuçiqin
Emisari Special i Bashkimit Evropian në dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, është deklaruar pas takimit me presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiq.
Lajçak ka teguar se ata folën rreth normalizimit të marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë.
“Në diskutimin tonë, u fokusuam në perspektivën strategjike për vitin 2024, bëmë një bilanc mbi situatën aktuale në dialog dhe folëm për hapat e ardhshëm në normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën”, ka shkruar Lajçak.
Lajçak, nesër do të vij në Kosovë ku do të takohet me krerët shtetëror./21Media