Lajçak për vizitën me Escobar në NATO: Diskutuam për zhvillimet në dialog dhe në veri të Kosovës

(Lajmi i përditësuar)
Përfaqësuesi i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka takuar sot zëvendëssekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mircea Geoana, bashkë me emisarin e ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.
Lajçak ka njoftuar se gjatë këtij takimi në seli të NATO-s, u diskutua për dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit, si dhe zhvillimet e fundit në veri të Kosovës,
“Pata një takim të dobishëm me Zëvendës Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mircea Geoana dhe DAS Esobar sot. Ne folëm për zhvillimet e fundit në Dialog, përfshirë ato në veri të Kosovës, bashkëpunimin BE-ShBA-NATO, si dhe rrugën përpara. Mirënjohës për mundësinë që njëherit t’i adresohem ambasadorëve të NATO-s”, ka shkruar Lajçak në Twitter.


Escobar dhe Lajçak në selinë e NATO-s: Stabiliteti në Ballkanin Perëndimor i rëndësishëm për të gjithë evropianët
Emisari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, si dhe i dërguari i Posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, sot kanë zhvilluar një takim në selinë qendrore të NATO-s, me zëvendëssekretarin e përgjithshëm, Mircea Geoană.
Kjo u bë e ditur nga misioni i SHBA-së në NATO, përmes një shkrimi në llogarinë zyrtare në Facebook.
Në njoftim thuhet se paqja dhe stabiliteti në Ballkanin Perëndimor janë të rëndësishme për të gjithë evropianët.
“Paqja dhe stabiliteti në Ballkanin Perëndimor janë të rëndësishme për të gjithë evropianët. Shtetet e Bashkuara, aleatët tanë të NATO-s dhe BE-ja janë të përkushtuara të punojnë me Serbinë dhe Kosovën për të gjetur një zgjidhje dhe rrugë përpara në interes të stabilitetit, sigurisë dhe mirëqenies së të gjitha komuniteteve”, thuhet në postimin në Facebook, të Misionit të SHBA-ve në NATO./21Media

Back to top button