“Lajm i vonuar”, Rama reagon pas lirimit të tre policëve nga Kosova

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, deklaroi se lirimi i tre policëve të Kosovës nga autoritetet serbe rihap rrugën e shtensionimit të procesit të dialogut.

Ai ka thënë se lirimi i jep fund dhe heqjes arbitrare të lirisë së tre njerëzve “që s’kanë kryer asnjë krim”.

“Kthimi i policëve të Kosovës në shtëpi është një lajm i vonuar, po gjithësesi shumë i mirë, sepse e para, i jep fund heqjes arbitrare të lirisë së tre njerëzve që s’kanë kryer asnjë krim dhe e dyta, rihap rrugën e de-eskalimit e të dialogut. Më vjen mirë që forca e arsyes fitoi mbi arsyen e forcës. Uroj që me forcën e arsyes të nisë menjëherë de-eskalimi i shumëpritur nga të gjithë dhe të zgjidhim më tej edhe nyjet e procesit të normalizimit përfundimtar mes Kosovës e Serbisë”, ka shkruar Rama në Twitter.

Ai ka njoftuar se ka mbërritur në Bruksel dhe se do të takohet me Presidentin e Këshillit Evropian me të cilin do të diskutojnë situatën e krijuar në rajon.

“Sapo kemi mbërritur në Bruksel, ku pas pak do të takohem me Presidentin e Këshillit Europian, mikun e çmuar të Shqipërisë dhe rajonit tonë, Charles Michel. Do t’i përcjell mikut tonë shqetësimet e mëdha për situatën kritike në rajon dhe bindjen time mbi domosdoshmërinë e një konference pa afat kohor, ku të mbyllur brenda mureve të një strukture mikpritëse nën kujdesin e bashkësisë euro-atlantike, liderët e Kosovës dhe Serbisë duhet të përmbyllin krejt pikat e marrëveshjes së normalizimit”, ka shkruar tutje Rama.

Rama deklaroi se duhet eliminuar çdo mundësi që mund të çojë drejt një “Donbasi ballkanik”, në zemër të Evropës.

“Fatkeqësisht, së fundmi të dyja palët i kanë sytë tek fronti i politikës së brendshme dhe tek sondazhet e përflakura nga retorika nacionaliste. Ndërsa dialogut jetik për të ardhmen e krejt rajonit dhe marrëdhënieve me botën demokratike u kanë kthyer kurrizin. Ndërkohë situata në Veri degradon me orë e me minuta, duke rritur edhe mundësinë e largqoftë një “Donbasi” ballkanik mu në zemër të Europës. Kjo mundësi edhe vetëm ta mendosh është katastrofike, prandaj duhet eliminuar me çdo kusht. Miopia strategjike në qasjen ndaj dialogut, zvarritja e planit të shkëlqyer franko-gjerman, devijimi i fokusit tek demonstrimet e forcës dhe si rrjedhojë, degradimi i situatës në Veri, mund t’i kushtojnë gjithë këtij rajoni, Serbisë padiskutim, po sidomos Kosovës më shumë se çdokujt tjetër, një kthim i mosozotshëm mbrapa, me pasoja shumëvjeçare”, ka shkruar Rama.

Sipas tij, Shqipëria do të bëjë gjithçka që të mos ndodhë kjo.

“Shqipëria do të bëjë çmos që kjo të mos ndodhë, sepse do të ishte një çmenduri që paqja e brishtë që kemi ndërtuar përgjatë këtyre viteve, në kuadrin e Procesit të Berlinit dhe përmes nismash të ndryshme, të rrënohet si kështjellë rëre nga rikthimi i dallgës së marrëzisë ballkanike, duke na rihedhur të gjithëve jashtë rrugës së integrimit europian, në fuçinë e vjetër të barutit në mes të Europës”, ka shkruar në fund Rama.

Tre policët e Kosovës që ishin rrëmbyer nga forcat serbe janë liruar me vendim të Gjykatës në Kralevë.

Lajmin për portalin rtv21.tv e ka konfirmuar Sekretari në zyrën ndërlidhëse të Kosovës në Beograd, Fatmir Haxholli./21Media

Back to top button