Kaloni te përmbajtja kryesore

Lansohet studio EdTech në Fakultetin e Edukimit në UP

Fakulteti i Edukimit në Universitetin e Prishtinës ka lansuar EdTech Studios, që ka për qëllim modernizimin e arsimit në Kosovë dhe përdorimin e teknologjisë më moderne në mësimdhënie. Si një vizion për të ardhmen e mësimdhënies dhe të nxënit, kjo platformë bashkon inovacionin dhe teknologjinë për të krijuar mundësi të reja në fushën e edukimit.

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci në detyrë tha se kjo studio e re do të ofrojë një gamë të gjerë të shërbimeve, duke e bërë më atraktiv mësimin dhe edukimin.

“Transformimi i sistemit arsimor në Kosovë dhe në Shqipëri përmes teknologjisë digjitale në edukimin e mësimdhënësve, vetë emrin i projektit më së miri përmbledhë edhe qëllimet e objektivat të cilat synojnë modernizmin e arsimit të lartë, në përgatitjen e mësimdhënësve dhe edukatorëve në aftësitë dhe vlerat e duhura në shekullin 21…I gëzohemi shumë e krenohemi kur shohim rezultate konkrete si kjo studio e re e cila do të ofrojë një gamë të gjerë të shërbimeve, duket më atraktiv mësimin dhe edukimin. Duke nisur nga materialet në format audio dhe video e deri tek lojërat edukative, tani e kemi një qendër të re të mirëfilltë të inovacionit arsimor”, tha Nagavci.

Ndërkaq, rektori në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, Arben Hajrullahu tha se ky laborator do të kontribuoj që mësimdhënësit të jenë në hap me kohën.

Ai tha se lansimi i EdTech është esenciale për të ardhmen e këtij fakulteti.

“E përurojmë këtë laborator i cili do të kontribuoj që edhe mësuesit e mësueset e Kosovës të jenë në hap me kohën. E kur na vijnë ata nxënës të cilët do të marrin mësimet nëpër shkollat e Kosovës, një ditë këtu në universitet, atëherë gjithsesi edhe ne e ata që do të vijnë pas nesh do ta kenë shumë më të lehtë ta zënë hapin e zhvillimin teknologjik gjithandej që po ndodhë. Dhe po e transformon edhe mënyrën e edukimit, të shkollimit, të mësimnxënies, por edhe të vetë studimeve…Kjo se çfarë ndodhi në Universitetin e Prishtinës, është esenciale për të ardhmen e këtij vendi”, potencon Hajrullahu.

Dekani i Fakultetit të Edukimit në UP, Blerim Saqipi tha se ky institucion po bënë ridimensionimin, e që sipas tij kjo që do të jep rezultat kundrejt kërkesës për mësues më cilësor.

“Nga përvoja ime këtu si dekan i këtij fakulteti, infrastruktura ka qenë pjesa më e lehtë e punës sime. Kryesisht falë projekteve ndërkombëtare si projekt ky që kemi sot i financuar nga Bashkimi Evropian ka bërë zhvillimin e laboratorit të cilin po e promovojmë. Sot në objektin e fakultetit të edukimit gjithçka është e re apo e rimodeluar nëse marrim pikë referimi vitin e pandemisë e këndej…18:39 Këtu si institucion ne po bëjmë ridimensionimin tonë si Fakultet i Edukimit e që në perspektivë do të jep rezultatet kundrejt kërkesës për mësues më cilësor”, tha Saqipi.

EdTech Studios është produkt nga projektit ERASMUS që bashkëfinancohet nga Komisoni Evropian dhe zbatohet nga Fakulteti i Edukimit në UP.

Lexim me zë

Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?

0:00

Show More
Back to top button