Laporta flet për largimin e Messit, përjashton mundësinë e rikthimit
Mbrëmë klubi i Barcelonës e konfirmoi që Messi do të largohet nga klubi dhe nuk do ta rinovojë kontratën e tij, dhe këtë gjë e tha sot edhe presidenti Joan Laporta.
Në një konferencë për media, Laporta tregoi që pavarësisht dëshirës së klubit dhe të Messit për ta vazhduar qëndrimin në klub, kjo gjë nuk mund të ndodhë për shkak të problemeve financiare.
“Nuk ka shanse që të rikthejmë Messin në klub. Nuk dua t’i jap shpresa tifozëve tanë. Duhet të lëvizim përpara. Klubi i futbollit Barcelona është mbi të gjithë”, tha Laporta.
“Messi nuk është i lumtur. Ai dëshiroi të vazhdonte të qëndronte këtu dhe ne dëshironim që ta mbajmë Messin këtu. Por nuk mund ta ndryshojmë realitetin tani, i uroj gjitha të mirat tek klubi i tij i ardhshëm”, shtoi presidenti i Barçës.
Kontrata e Messit tek Barcelona skadoi në fund të sezonit të kaluar, dhe një kontratë e re ishte e gatshme të nënshkruhej para sezonit të ri, por për shkak të rregullores financiare të La Ligas, ylli argjentinas nuk mund ta vazhdojë të ardhmen në “Camp Nou”.