Laporta flet për Neves: Xavi vendos se cili është lojtari i duhur për ne

Gjiganti katalunas, Barcelona po synon transferimin e një mesfushori, si zëvendësues i veteranit, Sergio Busquets.
Busquets pritet të largohet nga Barça në fund të sezonit aktual, por nuk mund të përjashtohet mundësia që mesfushori spanjoll të ndërroj skuadër edhe në merkaton aktuale të janarit.
Spekulimet po e lidhin Ruben Neves me një kalim te Barcelona, ku raportohet se krerët e gjigantit të La Ligas e dëshirojnë yllin portugez si pasues të Busquets.
Presidenti i Barçës, Joan Laporta në një intervistë për “Cadena Ser” foli për Neves, ndërsa tha se Busquets duhet ta vendosë të ardhmen e tij.
“Ruben Neves është një lojtar i shkëlqyer, por kjo është pjesë e bisedimeve private. Busquets duhet të vendosë për të ardhmen e tij, ai ka oferta nga MLS (Liga Amerikane), kështu që ne jemi duke i konsideruar opsionet për të ardhmen”, tha Laporta.
“Xavi do të vendosë se cili është lojtari i duhur për ne”, shtoi më tej Laporta.
Këtë sezon, Ruben Neves ka arritur të bëjë 26 paraqitje për Wolverhamptonin, duke regjistruar katër gola mbi emrin e tij.

Back to top button