Latifi prezanton programin për Rahovecin me prioritet bujqësinë dhe ekonominë

Kandidati i AAK-së për kryetar të Rahovecit, njëherësh kryetar aktual, Smajl Latifi, në debatin zgjedhor në RTV21 paraqiti programin me të cilin garon në zgjedhjet lokale të 12 tetorit.
Ai u zotua për transparencë, llogaridhënie, zhvillim të qëndrueshëm dhe përfshirje të qytetarëve.
“Por cilat janë premtimet tona? Rritje e vazhdueshme të të hyrave komunale qoftë përmes tatimit në pronë, qoftë përmes zgjerimit të bazës së të hyrave; investojmë 1 milion euro në agroturizëm si një fushë që po hedh shtat; modernizojmë bujqësinë, mbështesim fermerët, subvencionojmë me farëra, plehra dhe makineri, si dhe mbështesim bizneset lokale me hapësira të reja dhe inkubatorë”, tha Latifi.
Ai po ashtu premtoi pastrimin e ujërave dhe ndërtimin e impianteve për ujërat e zeza, si dhe heqjen e deponive ilegale.
“Krijojmë mundësi të reja për investitorë që riciklojnë mbeturinat”, tha ai.
Latifi dha premtime edhe për arsim. Tha se komuna do të kalojë në një mësim me një ndërrim, paisjen e shkollave dhe çerdheve me teknologji të reja dhe dhënien e bursave për nxënësit dhe studentët e dalluar.
Në shëndetësi, Latifi premtoi pajisje të reja mjekësore dhe zgjerimin e kujdesit paliativ.
Ndërsa për sportin tha se do të përmirësohen fushat sportive në përputhje me kërkesat e UEFA-s.
“Riorganizimin e hapësirave fizike për administratën.”, shtoi Latifi.
Ai tha se bujqësia dhe ekonomia janë shtyllë kurrizore e programit të tij./21Media