LDK dhe PDK arrijnë koalicion për balotazhin në Fushë Kosovë

Lidhja Demokratike e Kosovës ka arritur koalicion me Partinë Demokratike të Kosovës, për balotazhin e nëntorit.

Këtë e ka bërë të ditur, kandidati i LDK-së për kryetar të Fushë Kosovës, Besnik Osmani.

Përmes një postimi në Facebook, Osmani thotë se kjo marrëveshje është shprehje e përgjegjësisë politike dhe e vullnetit të përbashkët për ta çuar Fushë Kosovën përpara, me një qeverisje moderne, transparente dhe në shërbim të qytetarëve.

“Është arritur koalicioni i madh për të mirën e të gjithë qytetarëve të Komunës së Fushë Kosovës, që i thotë PO zhvillimit, mirëqenies dhe përparimit. Në këtë frymë bashkëpunimi, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Partia Demokratike e Kosovës do të ecin bashkë për prosperitetin e të gjithë qytetarëve, për Fushë-Kosovën tonë. Gjatë këtyre ditëve, dy degët tona kanë punuar së bashku në hartimin e planit qeverisës dhe, në koordinim të plotë edhe me qendrën, kemi nënshkruar marrëveshjen për qeverisjen gjithëpërfshirëse për mandatin e ardhshëm qeverisës. Kjo marrëveshje është shprehje e përgjegjësisë politike dhe e vullnetit të përbashkët për ta çuar Fushë Kosovën përpara, me një qeverisje moderne, transparente dhe në shërbim të qytetarëve”, ka shkruar Osmani.

Dega e LDK-së në Fushë-Kosovë e ka publikuar marrëveshjen e nënshkruar më 24 tetor. /21Media

Back to top button