LDK e nominon Lumir Abdixhikun si kandidat për Kryeministër

Lidhja Demokratike e Kosovës e ka nominuar kreun e kësaj partie, Lumir Abdixhikun, si kandidat për kryeministër.
Këtë e bëri të ditur vetë Abdixhiku në një konferencë pas mbledhjes së Kryesisë. Emri i tij tani do të kalojë edhe tek Këshilli i Përgjithshëm.
“Tek çështja e kandidatit për kryeministër, ishte diskutim i shkurtë. Kryesia e LDK-së e konsideron se përderisa ka kryetar partie, nuk ka nevoj të ketë kandidat tjetër për kryeministër, prandaj më nominoi, si propozim për këshillin e përgjithshëm që të jem kandidat për kryeministër nga radhët e LDK-së”, tha Abdixhiku.
Ai bëri të ditur se ka hequr dorë nga e drejta për të bërë renditjen e listës.
“Hoqa dorë nga renditja për ta bërë listën…LDK garon e vetme në këtë garë, por brenda listës do të zhvillojë diskutime me akterë, parti që mund të jenë pjesë e listës”, deklaroi Abdixhiku.
Një pjesë të listës së LDK-së, Abdixhiku tha se do të jetë e hapur për partitë e tjera, përfshirë edhe Fatmir Limajn e NISMËS.
“LDK-ja do të kujdeset që një pjesë të listës së vet ta hap për partitë e tjera përfshirë edhe Limajn me deputetët e tij. Për këtë çështje do të zhvillohen bisedime në ditët në vijim por le të themi se kemi gatishmëri. Siç kemi gatishmëri edhe për partitë e tjera që janë Demokristianët, Partinë e Drejtësisë, Aleancën e Pacollit. Pra ne jemi të hapur edhe për partitë edhe për individët. Pra, individë që duan të garojnë për LDK-në, për ngritjen e LDK-së”, shtoi Abdixhiku.