LDK-ja këmbëngul në postin e presidentit

Kërkon që posti i presidentit të përfshihet në marrëveshje

Haxhi Avdyli nga Lidhja Demokratike e Kosovës u shpreh optimist se koalicioni mes LDK-së dhe VV-së do të ndodhë së shpejti. Avdyli tha se njëra nga çështjet që kanë mbetur pa u zgjidhur është edhe ajo e presidentit, për çka në këtë pikë Vetëvendosje kërkon një zotim për bashkëpunimin e ardhshëm.

“LDK është e interesuar që ky mandat të jetë 4-vjeçar dhe në kuadër të mandatit 4-vjeçar të qeverisë në ardhje, e cila do të krijohet janë edhe pozita e presidentit. Nuk duam të futemi në qeveri, e cila do të zgjatë deri në pranverën e viti 2021 dhe atëherë ne si parti të shkojmë të ndarë para kësaj sfide. LDK për punën e presidentit po kërkon një zotim, i cili është vetëm zotim për një bashkëpunim të ardhshëm LDK-Vetëvendosje, nuk është që e kemi të sigurt apo e kemi mundësinë që vetëm kjo marrëveshje jonë ta zgjedhë presidentin. Ne duam që ky zotim të vendoset dhe në të njëjtën kohë të vazhdojmë me pikat e ardhshme siç është qeveria. Më shumë ka rëndësi zotimi jo vetëm me letër, edhe me gojë, por edhe me mirëbesim”, tha Avdyli.

Sipas Avdylit, çështja e presidentit duhet të diskutohet, nëse dëshirojnë të arrihet një marrëveshje mes dy partive.

“Posti i presidentit nuk është post që vjen nga zarfi. Ky post duhet të jetë pjesë e diskutimit nëse ne duhet të kemi një partneritet, nëse duam që postin e presidentit ta kemi si shkas për ta prishur qeverinë apo për ta rrëzuar në pranverë  e vitit 2021. Kjo është OK, por ne nuk jemi të interesuar që qeveria e ardhshme të mbarojë në vitin 2021, por jemi të interesuar që kjo qeveri të ketë sukses…Kushte tjera besoj që nuk kemi çdo gjë është e zgjidhshme dhe çështjet e vogla dhe çështjet që mund të jenë çështjet që mund të zgjidhet gjatë rrugës”, u shpreh ai.

Dje pas takimit mes dy liderëve të Lëvizjes Vetëvendosje e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Albin Kurti e Isa Mustafa, që nuk zgjati më shumë se 40 minuta, për media u deklarua zëdhënësi i LDK-së, Besian Mustafa, ishte në cilësinë e të autorizuarit nga të dyja partitë për të raportuar për takimin e djeshëm. Mustafa nuk dha shumë informacione, por tregoi që nuk është arritur një marrëveshje. Ai tha që janë pajtuar që të intensifikohen takimet mes tyre./21Media

Back to top button