LDK ka adresuar katër shqetësimet e saj ndaj Qeverisë

Lidhja Demokratike e Kosovës(LDK) thotë se gjatë javës së kaluar nëpërmjet katër konferencave për medie, ka adresuar shqetësimet e veta siç thuhet në komunikatë “mbi neglizhencën qeverisëse, mosrespektimin kushtetues, tendencat kapëse të drejtësisë e raportin shqetësues të Departamentit Amerikan te Shtetit”.​
LDK ka adresuar katër shqetësimet e saj ndaj Qeverisë.
Arsim – Gjykata Kushtetuese ka konstatuar se ministrja e arsimit, Arbërie Nagavci, ka shkelur Kushtetutën e Kosovës. Kanë kaluar një javë nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese, ministrja nuk e ka ofruar dorëheqjen, duke shkaktuar kështu precedent tejet të rrezikshëm për rendin kushtetues.
Ekonomi – Në mungesë të vizionit për zhvillim ekonomik afatgjatë e investime kapitale që sjellin të mira afatgjate, Qeveria u ka shpërndarë qytetarëve lëmoshë, nga 100 euro vetëm për një muaj (prill).
Drejtësi – Qeveria pasi që ka kapur shumicën e institucioneve, ia ka mësyer atyre të pavarura. Nismat e saj legjislative dhe veprimet politike kanë një qëllim; sigurimin e kontrollit politik mbi të gjitha institucionet, edhe ato të pavarura. Kështu duke u shndërruar në një cënuese të demokracisë dhe rendit kushtetues.
DASh – Shqetësuese janë të gjeturat e raportit të Departamentit Amerikan të Shtetit për të drejtat e njeriut për vitin 2021. Kërcënim e frikësim ndaj gazetarëve e medieve, pandëshkueshmëri të korrupsionit, si dhe ndërhyrjet politike në gjyqësor”, thuhet në  komunikatën e LDK-së të publikuar në faqen e tyre zyrtare në Facebook./21Media

Back to top button