LDK: Koalicioni PAN përgjegjës për gjendjen në shëndetësi

LDK akuzon PAN-in

​Lidhja Demokratike e Kosovës, ka akuzuar koalicioni PAN, se në fushatën e zgjedhjeve të vitit 2017, ka nënshkruar memorandum me Federatën e Sindikatave të Shëndetësisë të Kosovës me premtimin për rritje të pagave. Ndërkaq, Qeveria e PAN-it sipas LDK-së në fillim të mandatit i rriti pagat kundërligjshëm vetëm për kryeministrin, për pesë zëvendëskryeministrat, për ministrat, për 80 zëvendësministrat, për mbi 200 këshilltarët e tyre dhe njerëzit e tjerë të afërt me ta.

LDK thotë se pas këtij vendimi, në fillim të vitit 2018, me të drejtë kirurgët në Shërbimin Spitalor hynë në grevë. Ministri Ismaili u premtoi grevistëve se më së largu në qershor 2018 do rriten pagat edhe për ta, dhe nëse kjo nuk do të ndodhte, ministri Ismaili ishte shprehur se ai vetë do t’i bashkohej grevës.

“Tani jemi në përmbyllje të vitit 2018. Pagat nuk janë rritur për punëtorët shëndetësorë, ndërkaq Ministri Ismaili nuk është pjesë e grevës, dhe as nuk ka dhënë dorëheqje. Ligji për pagat u miratua në Kuvend në lexim të parë, por buxheti për 2019 nuk parasheh rritje. Prandaj, punëtorët shëndetësorë me të drejtë kërkojnë mbajtjen e premtimeve dhe realizimin e të drejtave të tyre. Ligji i ri i pagave, nëse miratohet në lexim të dytë siç është tani, do të rrisë më tutje pabarazitë në paga në sektorin publik. Parimi “pagë e njëjtë për punë të njëjtë” nuk është respektuar në strukturën e pagave në sektorin publik. Si i tillë, ky ligj nuk duhet të kalojë në lexim të dytë, por të kthehet në diskutim me punëtorët shëndetësorë, arsimtarët, policët, shërbimin civil dhe kategoritë e tjera të të punësuarve në sektorin publik. Ne shprehim keqardhje për gjendjen në shëndetësi, ku shumë pac ientë nuk mund të marrin shërbimet e nevojshme në spitalet publike. Për çdo përkeqësim të situatës përgjegjës mbetet koalicioni PAN”, thuhet në komunikatë e LDK-së.

Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës-FSSHK ka bërë të ditur se pas festës së Vitit të Ri, më datën 3 janar 2019 do të vazhdohet me grevë pa limit kohor deri në reflektimin e qeverisjes vendore ndaj kërkesave të punonjësve shëndetësorë. Ndërkohë, Shoqata e të Drejtave të Pacientëve dje ka kërkuar të ndërprehet greva, derisa nëse nuk ofrohet ndihma emergjente Prokuroria dje ka paralajmëruar edhe hetime.

Paga e mjekut specialist  në Kosovë është rreth 600 euro në muaj, ndërsa infermieri paguhet rreth 300 euro në muaj./21Media

Back to top button