LDK me amandament për përfshirjen e buxhetit të Prishtinës në Buxhetin 2026

Deputeti i Lidhja Demokratike e Kosovës, Besian Mustafa, ka bërë të ditur se do të dorëzojë sot një amendament në Komisionin Parlamentar për Buxhet për përfshirjen e buxhetit të Prishtinas në Projektbuxhetin e vitit 2026.
“Në Komisionin Parlamentar për Buxhet në orën 13:00, përtej arsyetimit të kërkesës si përfaqësues i LDK-së, do të provoj të ndërtoj pajtueshmëri me të gjitha partitë parlamentare sepse Prishtina nuk u përket vetëm banorëve të saj, por mbarë Kosovës.Si qendra jonë kryesore ekonomike, akademike, shëndetësore dhe administrative, infrastruktura e kryeqytetit përballon çdo ditë një fluks masiv të qytetarëve nga çdo komunë tjetër. Zhvillimi i Prishtinës, rregullimi i infrastrukturës dhe përmirësimi i shërbimeve të saj, ndikon drejtpërdrejt në jetën e qindra mijëra qytetarëve që punojnë, studiojnë apo marrin shërbime këtu.”, shkroi ai në Facebook.
Mustafa ka bërë thirrje për konsensus ndërpartiak, duke e cilësuar mbështetjen e amendamentit si domosdoshmëri për funksionalitetin e shtetit./21Media