LDK: Meritën për ushtrinë e ka Ibrahim Rugova

Deputetët e LDK-së bënë homazhe te varri i Ibrahim Rugovës dhe Kolonel Ahmet Krasniqit

Grupi parlamentar i LDK-së me rastin e mandatimit të sotëm në Kuvend të Forcës së Sigurisë së Kosovës në Ushtri të Kosovës ka bërë homazhe te varri i Presidentit Historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova dhe te varri i Ministrit të parë të Mbrojtjes, Kolonel Ahmet Krasniqi.

Sekretari i Përgjithshëm i LDK-së Ismet Beqiri, siç ceket në komunikatën e kësaj partie ka thënë se kjo ditë mbetet historike për popullin e Kosovës dhe meritën e ka Komandanti i parë i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Kosovës, ish-Presidenti Rugova, i cili ndërtoi rrugën për formimin e ushtrisë të shtetit tonë.

“Është kulmimi i sakrificës së popullit të Kosovës që rezultoi në shpalljen e pavarësisë së Kosovës dhe, sot mandatimit të ushtrisë së Kosovës. Po bëjmë homazhe te varri i Presidentit Historik Dr. Ibrahim Rugova, Komandanti Suprem i Ushtrisë së Kosovës për të kujtuar kontributin e tij drejt shtetformimit të vendit tonë, ne aleancë të fuqishme me ShBA-të, Gjermaninë, Britaninë dhe gjithë botën perëndimore”, ka thënë Beqiri në përkujtim te varri i Presidentit Rugova.

Deputetët e LDK-së, kanë vazhduar te varri i Kolonel Ahmet Krasniqit, në nderim të veprës së tij.

“Njëkohësisht po bëjmë homazhe te Ministri i parë i Mbrojtjes së Kosovës Kolonel Ahmet Krasniqi i cili dedikoi jetën për çlirimin dhe lirinë për një Kosovë të pavarur. Urime qytetarëve të Kosovës formimin e Ushtrisë së Kosovës”, ka thënë Ismet Beqiri.

Lidhja Demokratike e Kosovës bën të ditur se ka përkrahur në vazhdimësi këtë transformim dhe është e bindur se kjo ushtri do t’i shërbejë gjithë vendit dhe rajonit për siguri, paqe dhe stabilitet.

Kuvendi i Kosovës sot ka miratuar transformimin e Forcës së Sigurisë në Ushtri të Kosovës. Janë miratuar tri ligjet për FSK-në: Ligji për Ministinë e Mbrojtes, Ligji për FSK-në dhe ligji për Shërbimin në Forcës së Sigurisë së Kosovës. Dita e sotme nga liderët e vendit dhe bashkësia ndërkombëtare veçanërisht Amerika është cilësuar si ditë historike për Kosovën.

Dita e sotme nga liderët e vendit dhe bashkësia ndërkombëtare veçanërisht Amerika është cilësuar si ditë historike për Kosovën. Në këtë ditë sheshi i Prishtinës është mbushur me flamuj të shteteve mike. Me flamuj amerikanë është mbushur edhe Mitrovica. Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) është themeluar në vitin 2009 në bazë të Planit të Ahtisaarit. FSK është ngritur nën mbikëqyrjen e NATO-s, ndërsa paraprakisht me përfundimin e luftës ishin formuar Trupat Mbrojtëse të Kosovës (TMK). Transformimi i FSK-së në ushtri vjen 10 vjet pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Një hap i tillë nuk arriti të realizohet deri më tani për shkak të pamundësisë së ndryshimeve kushtetuese, të cilat mund të bëhen vetëm me votën e deputetëve të komuniteteve pakicë në Kuvend, përkatësisht votat e deputetëve serbë. Kështu, institucionet e Kosovës zgjodhën që shtimin e kapaciteteve ushtarake për FSK-në ta bëjnë përmes ligjeve, pa prekur edhe emrin e FSK-së./21Media

Back to top button