LDK prish koalicionin me VV-në në Mitrovicë

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka vendosur të prishë koalicionin qeverisës me Lëvizjen Vetëvendosje (VV) në Komunën e Mitrovicës së Jugut.
Sipas burimeve të KosovaPress-it, vendimi është marrë në mbledhjen e kryesisë së degës së LDK-së në Mitrovicë, e cila ka përfunduar rreth 20 minuta më parë.
Në këtë mbledhje kanë marrë pjesë 22 anëtarë të kryesisë, ku 19 kanë votuar pro prishjes së koalicionit. E derisa ishte një abstenim, Valon Bahtiri dhe Avni Syla ishin kundër prishjes së koalicionit.
Sipas burimeve, arsyeja kryesore e prishjes së koalicionit lidhet me emërimin e drejtorëve të rinj në Komunën e Mitrovicës së Jugut nga kryetari Faton Peci, pa dakordim me partnerin e koalicionit.
Votimi kundër koalicionit konkretisht ka ndodhur për shkak se LDK kishte propozuar për drejtor të Kulturës, Gzim Plakollin. Kurse, kryetari i Komunës së Mitrovicws së Jugut, Faton Peci, ka përzgjedhur drejtor Gazmend Asllanin .
Marrëveshja për bashkëqeverisje ishte arritur para betimit të Faton Pecit si kryetar i Mitrovicës së Jugut, ndërsa në kuadër të kësaj marrëveshjeje ishte zgjedhur edhe kryesuesi i Kuvendit Komunal, Safet Kamberi.