LDK thotë se ka kallëzim penal ndaj Martin Berishajt, kërkojnë shkarkimin e tij

Kryetarja e Forumit të Lidhjes Demokratike të Kosovës – LDK, Jehona Lushaku-Sadriu ka kërkuar nga institucionet kompetente në Kosovë që ta shkarkojnë ambasadorin e Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj.
E gjithë kjo me arsyetimin se “Agjensioni Kundër Korrupsion sot ka dorëzuar përfundimisht kallëzim penal ndaj ambasadorit Berishaj; mbi faktet e bëra publike muaj me parë”.
Sipas Luashku-Sadriut “kallëzimi penal është përfundim logjik ndaj një skandali të fshehjes së të hyrave prej gjysmë milioni”.
“Hapja e hetimeve, por edhe përfshierja e një ambasadori të Kosovës në skandale ndërkombëtare financiare, dëmtojnë rënd imazhin e vendit tonë, rrjedhimisht e bëjnë të pamundur përfaqësimin e shtetit. Prandaj, deri në përfundimin e rastit në fjalë, kërkojmë shkarkimin e Abasadorit Martin Berishaj; siç dhe kërkojmë sqarimin e secilit zyrtar publik, që në fillet e shpërthimit të këtij skandali, kishin garantuar dhe marrë në mbrojtje ambasadorin në fjalë”, përfundoi Lushaku-Sadriu.

Ndryshe, portali rtv21.tv ka tentuar të marrë një sqarim nga Agjencia Kundër Korrupsionit, por ende nuk janë përgjigjur.
Në muajin prill, ishte raportuar për një skandal të madh financiar që kishte shpërthyer në Slloveni. Aty ishte përfshirë ambasadori Martin Berishaj. Më vonë, u gjet se Berishaj nuk e kishte deklaruar kompaninë e tij “MB Consulting” në deklarimin e pasurisë në vitin 2022. /21Media

Back to top button