“Lëndimet nga djegia e ndryshojnë situatën nga ora në orë”/Familjarët në ankth para spitaleve pas tragjedisë në Koçan

Gjatë ditës, familjarët e të mbijetuarve kanë qëndruar para dyerve të spitalit në pritje të një lajmi për të mbijetuarit. Thirreshin me grupe për të hyrë në vizitë në repartin intenziv kirurgjikal.

Në Spitalin për sëmundje kirurgjike “Sh.Naumi Ohrit” në Shkup po kurohen 29 pacientë, mosha e të cilëve sillet nga 17-45 vjeç. 7 pacientë janë në kurim intesiv, dy prej të cilëve janë në aparat respirator për frymëmarrje artificiale. Sipas drejtorit Nebojsha Nastov,niveli i plagëve të shkaktuara nga djegiet te disa pacientë arrin deri 60%.

Sipas tij, lëndimet nga djegia e ndryshojnë situatën nga ora në orë. Nastov tha se në Spitalin “Shën Klimenti i Ohrit” katër pacient janë transportuar jashtë shtetit në Bullgari dhe Serbi dhe sonte pritet që nga ky spital të nisen edhe dy të tjerë për Turqi.

“Në turin e parë dy pacientë, të cilët ishin në aparat respirator për frymëmarrje artificiale, me aeroplan janë transportuar në Sofje, në Spitalin ‘Pirogov’ ku kanë Repart të specializuar për trajtim të djegieve, edhe të plagëve më të thella nga zjarri. Grupi i dytë që tani para pak e liruan spitalin, në marrëveshje me Qeverinë e Serbisë, njëri pacient u transportua në Spitalin ushtarak në Nish, ndërsa pacientja tjetër do të transportohen në Spitalin ushtarak në Beograd. Në çfarë gjendje janë pacientët e tjerë? Tani për tani janë stabil, për momentin edhe një pacient në respirator, të cilin e përgatisim për transport në Turqi dhe një pacient tjetër bashk me të”, tha Nebojsha Nastov, Drejtor i Spitalit për sëmundje kirurgjike “Sh.Naumi Ohrit” Shkup.

Për pjesën tjetër të pacientëve, të cilët shumica kanë plagë në pjesën e kokës, qafës dhe fytyrës që sipas mjekëve ka ardhur deri te ngufatja nga thithja e gazrave dhe tymit andaj nuk mund të jenë të rrezikshme për jetë.

Në vizitë të të mbijetuarve dhe familjarëve të tyre erdhi presidentja e shtetit Gordana Siljanovska-Davkova. Ajo iu shprehu ngushëllime familjarëve dhe tha se do të mësojmë një leksion në jetë, duke kujtuar se nuk është rasti i parë me djegie të kaq shumë viktimave të vendit tonë.

“E tmerrshme! E di që ata ishin të rinjë, besoj se shumica prej ytre do të shpëtohen nga mjekët që janë këtu. Do të mësojmë një leksion në jetë! Nuk mund ta kuptoj si është e mundur kjo të ndodhë. Kjo është një gjë që duhet të shqyrtohet sepse nuk e kemi herën e parë që ballaafqohemi më kësi raste. Asnjëehrë mos të përsëritet dhe uroj që ata të mbijetojnë.”, pohoi Gordana Siljanovska-Davkova, Presidentja e Shtetit .

Nga Ministria e Shëndetësisë thonë se kanë marrë thirrje për të ju ardhur në ndihmë edhe nga vendet tjera të BE-së. Ndërkaq, nga Ministria Arsimit kanë vënë në dispozicion kapacitete konviktore në Shkup për familjarët, të cilët po presin para dyerve të spitaleve, për të mos u kthyer sonte në Koçan. Edhe ekipe nga Kryqi i Kuq dhe shoqata humanitare iu kanë ardhur në ndihmë të familjarëve për medikamente dhe pije e ushqim. Por ato mbeten pothuajse të pa përdorura, ngaqë familjarët luteshin për mbijetesën e më të afërmve të tyre, të cilët brenda këtij spitali, po luftonin për jetë.

Back to top button