Letra e hapur e “Ballkanit të Hapur”! Tre liderët i ftojnë edhe vendet e tjera t’i bashkëngjiten iniciativës

 
Tre liderët e iniciativës “Ballkani i Hapur”, Zoran Zaev, Aleksandar Vuçiq dhe Edi Rama i dërguan një letër të hapur të gjitha vendeve të rajonit me thirrje që të bëhen pjesë e këtij procesi. Ky apel vjen vetëm dy ditë para takimit të ri që do të mbahet të hënën dhe të martën në Tiranë, ku duhet të nënshkruhet Memorandum për vizat pune mes këtyre tre vendeve.
“E shfrytëzojmë këtë rast që edhe një herë t’u bëjmë thirrje të gjithë fqinjëve tanë që të bashkëngjiten dhe qytetarëve të tyre t’iu ofrojnë volitshmëritë të cilat ne i ofrojmë për qytetarët tanë. Përmes lëvizjes së lirë të njerëzve, mallrave, kapitalit, shërbimeve, bashkëpunimi ynë mund ta nxisë tregtinë dhe rritjen dhe ta lehtësojë jetën për çdo individ në fqinjësinë tonë”, thuhet në letër.
Në këtë letër mes të tjerësh përmendet edhe mosnisja e negociatave me BE të disa prej vendeve të Ballkanit dhe integrimi i ngadaltë i atyre që tashmë i kanë nisur. Evropa nuk është vetëm kontinent, është edhe vizion, por qytetarët e Ballkanit Perëndimor, si pjesë përbërëse e kontinentit, për një kohë të gjatë ishin lënë anash, thuhet në letër.
“Dëshira e popullit tonë që të pranohet nga ana e anëtarëve të BE-së sërish ishte penguar nga politikat e brendshme të vendeve-anëtare. Mospërmbushja e premtimeve të dhëna dhe frika për të ardhmen rezultoi me zhgënjim, paqëndrueshmëri, shpërngulje dhe mungesë të investimeve të mëdha”, theksohet në letër.
Tre liderët theksuan se vizioni i tyre është që të kapërcehen barrierat sociale, ekonomike dhe tregtare të cilat e ngadalësojnë rritjen ekonomike në rajon. Kjo iniciativë nuk është zëvendësim për BE, por përkundrazi, ajo është edhe një hap drejt saj, nënvizohet në letrën e liderëve.
“Sistematikisht jemi takuar dhe kemi nënshkruar marrëveshje të cilat u mundësojnë qytetarëve tanë që të punojnë lirshëm, i reduktuam kontrollet kufitare të cilat do ta mundësojnë kalimin e mallrave pa vonesë, vendosëm mekanizma për udhëtim të lirë të qytetarëve tanë mes vendeve tona, ashtu siç qytetarët e BE-së udhëtojnë nëpër vendet e tyre. Iniciativa jonë “Ballkani i Hapur” u tregua si efikase dhe e dobishme në tejkalimin e kohërave të vështira të pandemisë”, nënvizohet në letër.
Para takimit të radhës të liderëve të vendeve që janë pjesë e “Ballkanit të Hapur”, që do të mbahet në Tiranë, ish-Presidenti i Shqipërisë, Sali Berisha, u bëri thirrje qytetarëve të hënën të dalin në protestë kundër kësaj iniciative./21Media

Back to top button