Librat e J.Buxhovit promovohen sot në Universitetin e Harvardit

Sot, në një solemnitet enkas, librat e historianit Jusuf Buxhovi “Kosova” 1,2,3 të përkthyera në anglisht, do të përurohen në Universitetin e njohur të Harvardit në SHBA.
Këto tri libra, botues i të cilave është shtëpia botuese “JalifatPublishing” nga Hjustoni me pronar z.Ramiz Tafilaj, e me përkrahës z.Milaim Abdullahu, i kanë përkthyer në anglisht Avni Spahiu, Getoar Mjeku dhe Faton Bislimi.

z.Bislimi në faqen e tij ka shkruar më gjërësisht lidhur me këtë ngjarje:
“Me miqët e mi të nderuar, Ramiz Tafilaj, Jusuf Buxhovi, e Milaim Abdullahu, sot ishim për vizitë në Kishën dhe Bibliotekën Memoriale të kolosit të kombit, shqiptarit që ndihmoi në bërjen e njëmend të Shqipërisë, Harvardianit që iluminoi botën për kombin tonë, dhe patëm nderin e jashtëzakonshëm të bisedojmë e prezantojmë librin “Kosova” të historianit Buxhovi, të botuar në anglishte nga Jalifat Publishing e Ramiz Tafilajt në Houston, përkrahur nga Santefarm e Milaim Abdullahut.
Ishim të nderuar që kopjet e librit t’ia dorëzojmë zyrtarisht Presidentës së Kishës Autoqefale Shqiptare në SHBA “Shën Gjergji” (emëruar në nder të Gjergj Kastriotit), znj. Laureen Toli, si dhe Drejtoreshës së Bibliotekës Memoriale të Fan S. Nolit, Dr. Neka Doko.
Nuk ka inspirim më të sinqertë se sa prania në vendin nga ku punoi, veproi, ligjëroi e shkroi Noli i madh! Kombi ynë është me fat që ka pasë intelektualë patriotë si Noli e Konica, që vendosën themelet e shtetit demokratik shqiptar e shpërfaqen para botës në përgjithësi, e Amerikës në veçanti, imazhin e duhur e të brumosur shqip të kombit tonë fisnik.
Nëse historia e tyre na mëson diçka, ajo na mëson se si shihet e si duhet atdheu – dashni kjo, që nuk shuhet as kur ne s’jemi më, përgjerësa jeton në gjakun e brezave pas nesh!
Nga sot, librat e famshëm të Buxhovit i kanë edhe gjenerat e shumta të shqiptaro-amerikanëve të Bostonit e më gjerë në bibliotekën e Nolit.
Në fund, ishim për homazhe edhe tek varrezat e Nolit e Konicës.
Nesër, në Harvard për ngjarjen e rradhës ne 5:30pm.”/E.D-21Media

Back to top button