Liderë të partive politike nderojnë të rënët në Betejën e Koshares

Në përvjetorin e 25-të të Betejës së Koshares, liderë të partive politike kanë bërë homazhe në Kompleksin Memorial në Koshare, duke kujtuar të rënët e saj. Të njëjtit kanë theksuar se të rënët për liri janë dëshmi e sakrificës së madhe të popullit shqiptar për liri e pavarësi, duke shtuar se historia e tyre duhet të njihet brez pas brezi.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku derisa ka kujtuar gjithë të rënët për liri, ka thënë se sakrifica e tyre është për obligim që të ndërtohet një e ardhme më e mirë për gjeneratat e ardhshme.

“Nderojmë dhe shënojmë mëngjesin e 9 prillit të vitit 1999-të, ku një çerek shekull më parë, djem e vajza të UÇK-së në mënyrë triumfaliste nisen thyerjen e kufirit shqiptaro-shqiptar për të dhënë kështu njërën ndër betejat më të lavdishme të popullit shqiptar në historinë tonë në veçanti në historinë e shekullit XX. Të rënët e Koshares vendor dhe të huaj te 113 të rënët dhe të gjallët po ashtu janë dëshmi e sakrificës së madhe të popullit shqiptar në Kosovë, dhe jo vetëm, për liri, pavarësi, demokraci e çlirimin e vendit dhe mbi gjakun e sakrificën e tyre, ne e ndiejmë sot obligim për të ndërtuar të ardhmen për fëmijët tanë dhe gjeneratat që vinë”, ka thënë Abdixhiku.

Homazhe ka bërë edhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili ka theksuar se në këtë betejë janë vrarë shumë luftëtarë të zotë.

“Jemi në Koshare për të nderuar luftën e UÇK-së, Epopenë e Koshares, një luftë që është udhëhequr nga Brigada 138 “Agim Ramadani”. Një luftë vërtetë heroike, ku janë vrarë shumë luftëtar të zotë, përfshirë edhe komandantin e Brigadës, e mbi 112 dëshmorë”, ka thënë Haradinaj.

Ndërsa, ish-komandanti në Betejën e Koshares, Anton Quni theksoi se një ndër veçoritë e kësaj beteje, apo pjesëmarrësve në këtë betejë është pjesëmarrja e burrave dhe grave nga gjitha trojet shqiptare dhe nga mërgata.

“Një ndër veçoritë e kësaj beteje, apo pjesëmarrësve në këtë betejë është pjesëmarrja e burrave dhe grave nga të gjitha trojet shqiptare dhe nga mërgata. Pa marrë parasysh gjeneratave, profesioneve, regjioneve, besimeve. Me të vërtetë është një ditë e veçantë sot, kur pas 25 viteve po me të njëjtat parime nga të gjitha trojet po ashtu shumë bashkëvendës tonë nga mërgata pa marrë parasysh ideologjinë, partitë politike, sërish jemi bashkë. Është ditë që duhet shënuar dhe kujtuar çdoherë”, ka theksuar Quni.

Back to top button