Liderët botëror reagojnë ndaj sulmit në Manchester

Sulmi është cilësuar si ‘krim çnjerëzor’

Të paktën 22 persona janë vrarë, përfshirë fëmijë dhe 59 të tjerë janë plagosur, në një sulm të dyshuar terrorist, jashtë një arene në qytetin e Mançesterit.

Sulmi ka ndodhur pas të koncertit të këngëtares së njohur amerikane, Ariana Grande.

Pas këtij sulmi ka pasur reagime të shumta nga e mbarë bota, ndër ta edhe liderët botëror.

Kryeministrja e Britanisë së Madhe, Theresa May ka thënë se autoritetet janë duke punuar për të kuptuar detajet e kësaj ngjarjeje.

“Ne jemi duke punuar për të kuptuar të gjitha detajet e asaj që nga policia po trajtohet si një sulm i tmerrshëm terrorist”, ka thënë May përmes një deklarate për media.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump ka dënuar ashpër sulmin në Mançester, duke thënë se ai u krye nga persona të “lig”.

Trump ka ofruar “ngushëllimet më të sinqerta” për viktimat dhe familjet e tyre. Ai tha se sulmi ka prekur “fëmijë të pafajshëm” dhe shtoi se kjo “ideologji e ligë duhet të zhduket plotësisht”.

Ndaj sulmit ka reaguar edhe kancelarja gjermane Angela Merkel. Ajo ka shprehur pikëllimin e saj për këtë ngjarje.

“Ky sulm i dyshuar terrorist vetëm do të forcojë vendosmërinë tonë për të punuar me miqtë tanë britanikë, kundër atyre që planifikojnë dhe kryejnë akte të tilla çnjerëzore. Unë i sigurojë njerëzit në Britani se Gjermania qëndron pranë jush”, thuhet në deklaratën e Merkelit.

Presidenti i sapoemëruar francez, Emmanuel Macron ka shprehur dhembjen që në mesin e viktimave të këtij sulmi ka edhe fëmijë.

Ai ka thënë se ai do të bisedojë me kryeministren britanike, Theresa May për këtë ngjarje.

Nëpërmjet një deklarate Kremlini ka treguar se presidenti rus, Vladimir Putin ka dënuar, siç shkruhet ‘këtë krim çnjerëzor’

Nga ana e tij, Presidenti i Kinës, Xi Jinping i ka dërguar një mesazh Mbretëreshës Elizabeth, ku i ka shprehur “ngushëllimet më të sinqerta”./21Media

Back to top button