Kryeministri kroat: Serbia nuk mund të ulet në dy karrige

(Lajm i përditësuar)
Kryeministri kroat, Andrej Plenkoviq deklaroi se bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë janë platforma e vetme për të ecur përpara prandaj shtoi se i inkurajojnë të dy palët që të gjejnë një zgjidhje të përbashkët.
Në samitin Bashkimi Evropian-Ballkani Perëndimor, duke folur para gazetarëve, Plenkoviq u shpreh se Kroacia nxit palët për marrëveshje konkrete që do të ndikonin në funksionimin normal të institucioneve në veri të vendit.
“(Dialogu) është një proces që është lehtësuar nga institucionet e Bashkimit Evropian në veçanti z. Borrell dhe z. Lajçak, ata kanë shumë përvojë, janë të përfshirë në të gjitha aktivitetet në rajon. Ajo që Kroacia po nxit vazhdimisht është paqja, dhe marrëveshjet konkrete, që do të lehtësojnë punën normale dhe funksionimin normal sidomos në pjesën veriore të Kosovës”, tha kryeministri kroat.
Plenkoviq, duke nënkuptuar raportet e Serbisë me Rusinë, foli edhe për rëndësinë që vendet e rajonit të harmonizojnë politikën e jashtme dhe atë të sigurisë me Bashkimin Evropian.
Ai tha se Serbia nuk mund të ulet në dy karrige.
“Nuk është koha për t’u ulur në dy karrige, nëse Serbia është me të vërtetë ambicioze dhe sinqerisht e përkushtuar për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian, atëherë është koha që të harmonizojë pozicionin e saj edhe në politikën e jashtme”, tha Plenkoviq.
Serbia është i vetmi shtet ballkanik që nuk ka vendosur sanksione ndaj Rusisë pas agresionit të saj në Ukrainë. Përkundrazi, në Beograd me dhjetëra herë ka pasur manifestime në përkrahje të Vladimir Putin ndërsa nuk kanë munguar edhe deklaratat e vetë politikanëve serbë në mbështetje të Rusisë.
11:40 – Arrin edhe kancelari Scholz në Tiranë për samitin BE-BP

Në Tiranë është duke u zhvilluar samiti ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian.
Në këtë takim i pranishëm është edhe kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz.
11:31 – Macron në Tiranë: Të ketë solidaritet për energjinë mes BE-së dhe Ballkanit

Samiti i BE-Ballkani Perëndimor në Tiranë shënon një ngjarje historike. Për herë të parë në Tiranë ka ardhur presidenti francez, Emmanuel Macron.
Ai u prit nga kryeministri  shqiptar, Edi Rama i cili ishte entuziast dhe i buzëqeshur.
Lideri francez tha për mediet se është i lumtur që ndodhet në Shqipëri dhe se kanë projekte konkrete për të diskutuar.
“Lufta në Ukrainë është çështje sigurie për të gjithë rajonin. Ne jemi duke punuar që nga marsi. Jam i lumtur që sot jam në Shqipëri, falenderoj kryeministrin Rama për këtë samit të rëndësishëm. Në kuadër të presidencës çeke kemi projekte konkret për të diskutuar. E rëndësishme të kemi projekte konkrete për energjinë dhe procesin e integrimit. E rëndësishme të punohet drejt një solidariteti të mëtejshëm. Do të kemi mundësi të përgatisim konkluzione për energjinë”, tha ai.
Sa i përket vizitës në Tiranë, Presidenti francez u shpreh se do të rikthehet.
“Jemi shumë krenarë dhe të lumtur që gjendemi këtu. Miku im i mirë më ka ftuar disa herë jam këtu por do të kthehem për një takim dypalësh”, u shpreh Macron.
11:18 – Varhelyi: Anëtarësimi është ajo qe ne duhet të ofrojmë dhe për këtë arsye jemi këtu

Në Tiranë është duke u zhvilluar samiti ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor.
Në këtë takim të rëndësishëm është duke marrë pjesë edhe Komisionari Evropian për Fqinjësinë dhe Zgjerimin, Oliver Varhelyi.
Në një fjalë rasti para gazetarëve, ai ka thënë se anëtarësimi në BE është ajo që duhet të ofrohet dhe për këtë arsye janë mbledhur në Tiranë.
“Anëtarësimi, kjo është ajo që ne duhet të ofrojmë dhe kjo është arsyeja pse ne jemi këtu. Kjo është arsyeja pse ne takohemi për herë të parë në Ballkanin Perëndimor”, tha ai.
10:58 – Kryeministri grek me mesazh për dialogun Kosovë-Serbi

Kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis ka mbërritur në Tiranë në kuadër të samitit BE-Ballkani Perëndimor.
Ai u prit nga kryeministri Rama. Mitsotakis do të jetë në Shqipëri në një vizitë dyditore. I pyetur edhe për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, ai u shpreh se palët duhet të bëjnë një hap pas në mënyrë që të finalizojnë një marrëveshje.
“Gjithmonë kemi inkurajuar dialogun mes Beogradit dhe Prishtinës që duhet të zhvillohet në mirëbesim nga të dyja palët. E kuptoj kompleksitetin e çështjes dhe jemi të vetëdijshëm për faktin që kjo çështje duhet të zgjidhet. Në mënyrë që kjo çështje të zgjidhet, palët duhet të bëjnë një hap pas. Do jetë e vështirë të bëjmë progresin e nevojshëm për integrimin e Ballkanit Perëndimor në familjen europiane”, tha ai.
09:53 – BE dhe Ballkani Perëndimor nënshkruajnë marrëveshje për roming

Marrëveshja e parë që është nënshkruar në samitin e BE-Ballkani Perëndimor sot në Tiranë është marrëveshja Roaming, që synon uljen e tarifave.
Marrëveshja Roaming i hap rrugë nisjes së procesit për heqjen e tarifës roaming mes vendeve të Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor.
Pas negociatash të gjata Komisioni Evropian dhe RCC drejtuar nga Sekretarja e Përgjithshme, Majlinda Bregu kanë arritur marrëveshjen me operatorët e telefonisë celulare në Evropë e Ballkan për uljen e tarifave roaming.
Nënshkrimi i Deklaratës së Roaming-ut, do të garantojë ulje të ndjeshme të tarifave roaming që nga 1 tetori 2023. Tarifat afër niveleve të çmimeve kombëtare synohen të arrihen deri në vitin 2027.

09:48 – Michel: E ardhmja më e sigurtë me Ballkanin Perëdimor në BE

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama priti mysafirët në kuadër të Samitit Bashkimi Evropian – Ballkani Perëndimor që po mbahet në Tiranë.
Kryetari i Këshillit Evropian Charles Michel para gazetarëve tha se është i bindur që e ardhmja do të jetë më e sigurtë me Ballkanin Perëndimor në BE.
“Do të jetë një takim i rëndësishëm. Takim simbolik. Kjo është hera e parë në këtë vend. Jam I bindur që e ardhmja e fëmijeve tanë do të jetë më e sigurtë dhe me prespektivë me Ballkanin Perëndimor brenda BE. Po punojmë shumë për të bërë progres. Marrëveshja e Roming është një arritje konkrete dhe asaj që kemi diskutuar në samitin e Bërdosë. Është një hap i rëndësishëm”, tha ai.
09:45- Vuçiq shtrëngon duart me Ramën

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka mbërritur në Tiranë për të marrë pjesë në samitit të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor.
Ai është pritur nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
“Jam optimist për marrëveshjet që do nënshkruajmë sot në këtë takim. Jam këtu për të mësuar shumë nga njerëzit evropianë për t’i dëgjuar ato e për të shpjeguar pozitat e Serbisë. Serbia është një vend i pavarur dhe ne i dimë detyrimet tona dhe vendimet e KE. Por gjithashtu qëndrime të ndryshme. Serbia nuk është e lidhur me Rusinë, është një vend i pavarur. Nëse ju thoni se jemi të lidhur me Rusinë është thjesht një arsye për të kritikuar dikë kur nuk keni asgjë për të thënë”, tha ai.
09:40- Osmani në samitin e BE-së në Tiranë: Brenda dhjetorit aplikojmë për anëtarësim në BE

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama po pret mysafirët në kuadër të Samitit Bashkimi Evropian – Ballkani Perëndimor që po mbahet në Tiranë.
Rama ka pritur edhe presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, teksa në fotografitë e bëra publike të dy shfaqen të buzëqeshur.
Osmani u shpreh e lumtur që ishte e pranishme në samitin BE-Ballkani Perëndimor që po mbahet në Tiranë.
“Është një samit shumë i rëndësishëm. Shpresoj që konkluzionet dhe deklarimet do të tregojnë unitetin e europian drejt përshpejtimit të integrimit të Ballkanit Perëndimor. Në të njëjtën kohë jam këtu si lideri i një vendi më tepër pro evropian dhe tregojmë angazhimin tonë drejt BE-së dhe sa i takon angazhimeve dhe politikave të BE-së dhe sanskioneve ndaj Rusisë. Na duhet që BE të lëvizë nga fjalët drejt realizimeve sa i takon procesit të liberalizimit të vizave. Kosova do të dorëzojë aplikimin për kandidate për BE-në brenda këtij viti. Shpresojmë në mbështetjen e vendeve anëtare të BE-së. Nuk është vend për dialog mes Serbisë dhe Kosovës por është një proces që besojmë se të çohet në njohjen reciproke mes dy shteteve”, tha Osmani.

Liderët e Bashkimit Evropian do të takohen me homologët e tyre nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor (Shqipëria, Bosnje e Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia) në kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranë, më 6 dhjetor.
09:33 – Policia bllokon Bulevardin pritet ardhja e liderëve të BE-së

Policia në Shqipëri ka ndaluar lëvizjen në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” duke vendosur barriera hekuri. Në orën 09:30 pritet të vijnë liderët e delegacionit të BE-së.
Tirana do të ketë një nga ditët më të ngjeshura saj në kuadër të zhvillimeve politike.
E ndërsa qeveria ka bërë gjithçka gati për të pritur samitin një ditor të Bashkimit Evropian me vendet e Ballkanit Perëndimor, opozita është angazhuar për të organizuar protestën e thirrur në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” një zonë brenda perimterit të sigurisë sipas policisë. 44 delagacionet që marrin pjesë, siguria, 780 gazetarët që janë akredituar për të ndjekur këtë samit.
Përfaqësuesi i Lartë të BE, Josep Borrell, Kryeministri i Hungarisë Viktor Orbán dhe Komisioneri i Bashkimit Europian për Zgjerimin dhe Fqinjësinë e Mirë, Olivér Várhelyi kanë mbërritur mbrëmë në Tiranë. Ata janë pritur nga ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali.
Prej orës 20:00 të mbrëmjes së të hënës, 5 dhjetor, Policia e Shtetit, me të gjitha departamentet përfshirë 4 drejtori të rëndësishme vendore, shërbimet e inteligjencës dhe Garda e Republikës kanë kaluar në shërbim të përforcuar deri në përfundim të zhvillimeve që do të ndodhin të martën, Samiti BE-BP dhe tubimi i parashikuar të jetë masiv i opozitës.
07:32 – Nga emigracioni dhe krimi i organizuar tek siguria, temat që do të diskutohen sot në samit
Liderët e Bashkimit Evropian do të takohen me homologët e tyre nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor (Shqipëria, Bosnje e Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia) në kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranë, më 6 dhjetor.
Takimi është i rëndësishëm për një arsye të madhe: kjo është hera e parë që një samit i madh mes BE-së dhe Ballkanit Perëndimor do të mbahet jashtë bllokut evropian.

Samiti i fundit, i mbajtur në Bërdo të Sllovenisë, në vjeshtën e vitit 2021, është dominuar nga mospajtimet nëse deklarata finale duhet të përfshijë fjalën “zgjerim”, pasi disa vende anëtare të BE-së kanë dyshuar atëbotë në idenë e zgjerimit të klubit.
Këshilli i Bashkimit Evropian ka zbuluar agjendën e samitit mes liderëve të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, që mbahet në Tiranë.
Temat kryesore të diskutimit do të jenë pasojat e agresionit rus kundër Ukrainës, intensifikimi i angazhimit politik, përforcimi i sigurisë dhe ndërtimi i qëndrueshmërisë ndaj ndërhyrjeve të huaja dhe adresimi i sfidave të paraqitura nga migrimi, lufta kundër terrorizmit dhe krimit të organizuar.
Në fund të samitit, liderët pritet të kenë një deklaratë.
Në ora 09:30 pritet mbërritja e liderëve, pastaj në ora 10:00 firmosja e marrëveshjes roaming.
Ndërkaq në orën 10:15 nis mbërritja e delegacioneve dhe pritjen zyrtare.
Në orën 11:45 është planifikuar fotoja zyrtare, pastaj në orën 12:15 programi vijon me seancën plenare dhe drekën e punës.
Në ora 14:30, kryeministri Edi Rama, Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula Von der Leyen, si dhe Presidenti i Këshillit të BE-së, Charles Michael, do të dalin në konferencë për shtyp përpara 140 përfaqësuesve të medias, shqiptare dhe ndërkombëtare, që do të zhvillohet në ambientet e Pallatit të Kongreseve.
Liderët kryesorë të BE-së pas përfundimit të Samitit, do të largohen nga Shqipëria brenda ditës të shoqëruar me të njëjtin protokoll sigurie.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, për samitin e Bashkimit Evropian e Ballkanit Perëndimor që pritet të mbahet në Tiranë, më 6 dhjetor, kishte thënë se është një ngjarje historike për historinë e marrëdhënieve ndërkombëtare të Shqipërisë.
Samiti është pjesë e zbatimit të Agjendës Strategjike të Këshillit Evropian 2019-2024, si dhe konsiderohet një mundësi për të rikonfirmuar rëndësinë kyçe të partneritetit strategjik midis BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, një rajon me një perspektivë të qartë drejt BE-së./21Media

Back to top button