“Lidershipi i ri”, Muhaxheri: Është e pakuptimtë të kërkohet shkarkim, LDK pati rritje

Anëtari i kryesisë së LDK-së, ish-kryeministër Avdullah Hoti tha se LDK ka nevojë për një udhëheqësi të re dhe akuzoi lidershipin e partisë për, siç ka shkruar, ristrukturim në degët e partisë në mënyrë selektive. Hoti ka listuar një numër dobësish, sipas tij, dhe ka akuzuar kryetarin Lumir Abdixhiku se është distancuar nga e kaluara e LDK-së duke zbehur siç tha besimin e elektoratit tradicional.
“ Orientimi i lidershipit aktual për të bërë prerje të panatyrshme, si dhe distancimi nga e kaluara e lavdishme shtetformuese e LDK-së, pavarësisht sfidave e lëshimeve gjatë rrugëtimit të lidershipeve të kaluar, kanë zvetënuar besimin e elektoratit tradicional të LDK-së. Në vend të ndërtimit mbi ato arritje të LDK-së, lidershipi aktual ka krijuar distancë ndaj njerëzve dhe arritjeve të Kosovës gjatë qeverive të udhëhequra nga LDK-ja. Personalizimi i fushatës zgjedhore, përbërja e listës, renditja e kandidatëve në listë, paraqitja dhe favorizimi medial i një liste të ngushtë të kandidatëve të LDK-së, si dhe çështje të tjera para dhe gjatë fushatës, kanë dëmtuar kohezionin e brendshëm partiak, me gjithë përpjekjet e të gjithë neve për t’i tejkaluar ato pakënaqësi. “, shkroi Hoti.
Hoti ka përmendur gjithashtu edhe përplasjet dhe akuzat brenda LDK-së për manipulime me vota. Duke theksuar se votimi joproporcinal në diasporë ka rënduar dhe cenuar më tutje atmosferën kolegiale dhe bashkëpunuese brenda LDK-së.
Shkrimit të Hotiti i është kundërvënë një numër i zyrtarëve të LDK-së, përfshirë edhe nënkryetarët e saj. Imri Ahmeti e Doarsa Kica Xhelilin.
Ndërsa nënkryetari tjetër i partisë Gazmend Muhaxheri i tha RTV21 se kërkesa e Hotit është e pakuptimtë..
“Është dashtë me punu ma shumë për me dalë rezultati më i mirë. Qysh kur rritët 70% me kërku me u shkarku. Kërkohet me u shkarku dikush kur e zvogëlon partinë jo kur e rritë nuk e di këso logjike ku e kanë pa.”, tha Muhaxheri.
Lidhja Demokratike e Kosovës në votimet e 9 shkurtit doli partia e tretë me një rezultat prej pak më shumë se 18%, nga 12.7 për qind sa kishte në zgjedhjet e vitit 2021.Zyratrët e partisë patën deklaruar se presin një rezultat më të mirë që kap një përqindje prej afro 24. Kryetari i partisë, Lumir Abdixhiku më 9 shkurtm, në mbyllje të procesit pati deklaruar se e merr përgjegjësinë e rezultatit zgjedhor.
Njohësi i çështjeve politike Shemsi Jashari vlerëson se lideri i LDK-së nuk iu dha hapësirë strukturave të tjera partiake gjë e cila rezultoi edhe në rezultatin e zgjedhjeve.
“ Në demokraci maten numrat dhe pastaj bëhen analizat dhe pastaj veprimet. Abdixhiku pas zgjedhejve ka thënë se do të marr përgjegjësinë e rezultatit. Ne e kemi parë një fushatë të konsoliduar por strukturat partiake e dijnë se si është sillur ai brenda partisë dhe mendoj që nuk ju ka dhënë hapësirë të mjaftueshmë”, tha Jashari për rtv21.
Rezultati i zgjedhjeve të 9 shkurtit ka shpërfaqur pakënaqësi tek të gjitha partitë politike përfshirë LVV-në thonë njohës të zhvillimeve politike. Ndërsa, rezultati zhgënjyes tek subjektet opozitare erdhi për pasojë e opozitarizmit të vonshëm.
“ Opozita nuk arriti të krijoj një opinion të vetin ajo vonë nisi opozitarizmin përkundër që pati një numër aferash për partinë në pushtet”, shtoi Jashari
Rezultati përfundimtar i zgjedhjeve të 9 shkurtit e bëri të qartë se asnjë subjekt politik në Kosovë nuk mund ta formojë qeverinë e vetme./RTV21/21Media