Lidhja e Bizneseve thirrje spektrit politik: Formoni institucionet të shkarkojë bordin e ZRRE-së

Lidhja e Bizneseve të Kosovës (LBK) ka reaguar pasi KEK-ku ka nisur shkyçjen e bizneseve nga rrjeti elektrik.
“Lidhja e Bizneseve të Kosovës kundërshton fuqishëm vendimin e jashtëligjshëm të ZRRE-së për ndërprerjen e furnizimit me energji elektrike për bizneset. Veprime të tilla të ngutshme dhe të papërgjegjshme tregojnë se ky bord ka humbur fokusin në interesin publik, duke dërguar mesazhin se mbron interesa individuale dhe duke rrezikuar drejtpërdrejt ekonominë e vendit.”, thuhet në reagimin e LBK-së.
“Lidhja e Bizneseve të Kosovës i bën thirrje spektrit politik të formojë sa më shpejt institucionet, të shkarkojë bordin e ZRRE-së dhe të ndalojë menjëherë këto veprime që po dëmtojnë rëndë ekonominë e vendit.”, vijon reagimi.
Po ashtu LBK i bën thirrje spektrit politik, Presidentes së Republikës së Kosovës dhe Kryeministrit në detyrë “që të mos heshtin, por të veprojnë për të mbrojtur Republikën dhe ekonominë para se të bëhet vonë. Lidhja e Bizneseve të Kosovës kërkon formimin sa më të shpejtë të institucioneve, shkarkimin e bordit të ZRRE-së dhe ndalimin e menjëhershëm të këtyre veprimeve shkatërruese.”
Sipas LBK-së dërprerja e energjisë për prodhuesit godet rëndë prodhimin vendor, minon besimin e investitorëve të huaj, dëmton imazhin ndërkombëtar të Kosovës dhe cenon mirëqenien e qytetarëve. “Bizneset, që përbëjnë 56% të ekonomisë dhe punësojnë mbi 140 mijë persona, nuk duhet të përballen me masa të padrejta dhe të paarsyeshme.”
“I bëjmë thirrje ZRRE-së që të ndalojë menjëherë këto veprime dhe të kthehet në dialog me komunitetin e biznesit, në mënyrë që tranzicioni drejt tregut të lirë të energjisë të bëhet i planifikuar, i drejtë dhe në funksion të zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik.”
Sipas LBK-së ky vendim i sotëm nuk i shërben Kosovës – përkundrazi, i sherben interesave te individeve te caktuar dhe shteteve fqinje!
“Sepse, vertet me keto vendime e veprime, ZRRE po shkatërron prodhimin dhe ekonominë me vendime arbitrare. Lidhja e Bizneseve të Kosovës kërkon ndaljen e menjëhershme të ndërprerjes së energjisë dhe dialog me bizneset.”/21Media